Barcelona i shton konkurrencën Levandovskit dhe Rafinjës, firmos me sulmuesin anglez

Markus Rashfordi është lojtari më i ri i Barcelonës. Katalanasit kanë shtuar forcat në sulm, duke rritur kështu edhe konkurrencën në këtë repart. Lojtari 27-vjeçar shihej si një nga talentet më të mëdha të Premier Ligës, por periudha te Mançester Junajtedi nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë për të. Megjithatë huazimi te Aston Vila sezonin e shkuar e rilindi, duke i sjellë edhe ftesën e Kombëtares së Tuhelit.

Nisur nga sezoni i shkuar, drejtuesit e Barçës kanë vendosur të arrijnë një marrëveshje me Rashfordin. Ky i fundit ka firmosur një kontratë 1-vjeçare në formën e huazimit. Barcelona gëzon të drejtën e blerjes për shifrën e 30 milionë eurove. Rashfordi mund të luajë si në krahun e majtë të sulmit, pozicion që tashmë mbulohet nga Rafinja, ashtu edhe në majën e sulmit, ku aktualisht luan Levandovski./Sport Ekspres/