Bekim Balaj dikton Superioren me golat e shënuar, gjithmonë e më afër Këpucës së Artë

Gara për golashënuesin më të mirë të sezonit në kampionatin “Abissnet Superiore” vijon të jetë mjaft interesante edhe në këtë edicion. Ashtu si në dy sezonet e fundit, në krye të listës qëndron sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj.

Me 10 gola të realizuar deri në këtë moment, Balaj udhëheq renditjen e golashënuesve, duke lënë pas Dejvi Bregun dhe Blaise Tsague, të cilët kanë shënuar nga 7 gola secili.

Nga skuadra e Egnatias, që kryeson renditjen e kampionatit, golashënuesi më i mirë është Alessandro Albanese me 6 gola, po aq sa edhe Ibrahim Mustapha i Bylisit.

Kampionati “Abissnet Superiore” rikthehet më 14 janar me ndeshjet e javës së 19-të. Deri tani janë shënuar në total 188 gola, me një mesatare prej 2.08 gola për ndeshje.

Mbetet për t’u parë se si do të vijojë gara për kreun e golashënuesve, ndërsa java e 19-të sjell menjëherë një përballje të fortë, Vllaznia kundër Egnatias në stadiumin “Loro Boriçi”.