Alen Sherri po bëhet gati të ndryshojë ambientin sportiv në Itali. Portieri shqiptar kishte fatin në dorë te Cagliari duke marrë vendin e titullarit shumë më shpejt se çfarë e kishte planifikuar. Por për shkak të një shansi të dhënë ndoshta në kohën e gabuar, kur përshtatja nuk ishte bërë ende ashtu siç duhej, Sherri u kthye në stol.
Më pas te Cagliari mbërriti Caprile i cili nuk u zëvendësua më në asnjë moment. Mungesa e përshtatjes dhe kohës së pakët është e kuptueshme pasi Sherri bëri një kalim anormal, nga Egnatia te Cagliari në Serinë A.
Ndërkohë sipas mediave italiane, Sherri është shumë pranë transferimit te Frosinone në Serinë B. Thuhet se ky kalim do të bëhet për 1 milionë euro dhe do të jetë një marrëveshje huazimi me të drejtë blerje. Nëse Frosinone vendos të blejë kartonin e Sherrit për 1 milionë euro, më pas 100 mijë do të shkonin në llogarinë e Egnatias që ruante 10% të vlerës së kartonit të Sherrit pas shitjes te Cagliari. /Sport Ekspres/