Xabi Alonso ka fituar ‘El Clasico’-n e tij të parë në krye të stolit të Realit të Madridit. “Los blancos” mposhtën Barcelonën me shifrat 2-1, ndërsa në fund nuk mund të mungonte edhe tensioni mes lojtarëve. Megjithatë, trajneri spanjoll e konsideroi atë episod si një tension të zakonshëm në një ndeshje këtij niveli. Sa i përket fitores, Xabi Alonso është shprehur se ekipi sot ka arritur të argëtojë tifozët dhe t’i tregojë atyre se është i aftë të garojë në ndeshje të mëdha.
“Energjia, bindja, gara e ekipit… lojtarët titullarë dhe ata që hynë nga stoli gjithashtu po largohen të lumtur nga stadiumi. Mbi të gjitha, i kam parë djemtë ta shijojnë (fitoren në el klasiko). Mendoj që stadiumi ‘Bernabeu’ sot ka pasur një lidhje shumë të mirë. Mendoj se edhe për njerëzit ishte e rëndësishme të shihnin që ekipi i tyre mund të garojë dhe të fitojë një ndeshje të madhe. ‘Bernabeu’ ka pasur një energji të mbresëlënëse. I shijuan të gjitha. Projekti sapo ka filluar.
Tensioni në fund të ndeshjes? Ishte një tension i momentit. Këto kanë ndodhur gjithmonë. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar përderisa është garë e shëndetshme. ”, ka deklaruar Xabi Alonso./Sport Ekspres/