Shqipëria do të përballet në datën 7 qershor kundër Serbisë. Një derbi i madh i Ballkanit që pritet luhet në Air Albania dhe që do të ndiqet me shumë kërshëri jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vënde të Europës duke ditur rivalitetin tonë jo vetëm në futboll, por edhe në histori. Gjithmonë e më shumë po afron data e kësaj ndeshje të madhe, ndërsa tani kemi edhe një njoftim zyrtar sa i përket biletave. Federata Shqiptare e Futbollit ka ardhur me një njoftim të fundit pak minuta më parë, atje ku thuhet:
“Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm për ndeshjen Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026, Federata e Futbollit njofton se do të ndjekë një procedurë të posaçme për shitjen e biletave, me qëllim menaxhimin sa më efikas të kërkesës së lartë nga tifozët shqiptarë.
Duke qenë se kërkesat pritet të tejkalojnë kapacitetin e stadiumit, FSHF bën me dije se nuk do të ketë shitje të menjëhershme të biletave, por do të ndiqet procedura e mëposhtme:
– Tifozët do të kenë mundësinë të plotësojnë një formular aplikimi elektronik, për të shprehur interesin e tyre për të siguruar bileta. Ky formular do të publikohet nga FSHF më 15 maj 2025.
– Çdo aplikant mund të kërkojë deri në 4 bileta.
– Pas përfundimit të afatit të aplikimeve, do të kryhet një përzgjedhje e rastësishme dhe automatike përmes shortit kompjuterik të aplikantëve, të cilët do të kenë më pas mundësinë për të blerë biletat.
– Të përzgjedhurit do të njoftohen disa ditë para ndeshjes nëpërmjet adresës së tyre elektronike.
– Pas njoftimit, ata do të marrin një link unik për të kryer pagesën online, në periudhën 30 maj – 2 qershor 2025.
– Pas konfirmimit të pagesës, biletat elektronike do të dërgohen në adresën e regjistruar të emailit.
FSHF thekson se bileta mund të transferohet vetëm një herë. Çdo transferim i mëtejshëm do ta bëjë biletën të pavlefshme”, shkruhet në faqjen zyrtare të FSHF.
Pra në bazë të këtij përshkrimi, theksohet se në fillim do të aplikojnë të gjitha ata tifozë që kanë interes për ta parë këtë ndeshje nga afër. Më pas do të ketë një përzgjedhje rastësore të emrave, nëpërmjet shortit kompjuterik të aplikuesëve. E thënë më ndryshe, në fillim mund të aplikojnë 300.000 tifozë shqiptarë, por në fund do të fitojnë vetëm 20.000 njerëz sa janë vendet në Air Albania. Ndërkohë një rregull shumë i rëndësishëm është fakti se FSHF do të dërgojë biletën elektronike te secili fitues dhe nëse ajo transferohet, bëhet e pavlefshme, duke minimizuar kështu edhe tregun e zi. /Sport Ekspres/