Simon dhe Sokol Uldedaj, binjakë të datëlindjes 6 shkurt. Janë datëlindja 2009, por me një pjekuri të frikshme në fushë. Kanë zgjedhur të dy të jenë pjesë e sulmit, njeri i majtë dhe tjetri i djathtë. Janë një aset më vete për Akademinë e futbollit Vllaznia, një “biletë” e sigurtë për futbollin shkodran dhe atë kombëtar. Së fundmi ishin të dy në fushë dhe pjesë e suksesit të Vllaznisë U-19 në trofeun “Eagle Cup” në Tiranë, në finalen ndaj Veronës. Janë pjesë e Akademisë Vllaznia, por gjenden kudo te moshat aty: te U-16, U-17 apo edhe U-19.
Spikasin si një dyshe siluruese në ofensivë e ku natyrisht duke mos harruar kurrsesi detyrat mbrojtëse. Aktualisht janë nën kujdesin dhe trajnimin e Plorit, por një vëmendje të madhe kanë edhe nga Vllaznia A e Edi Martinit që së bashku me Vioresin Sinanin kanë vendosur të vlerësojnë afrimin e elementit të ri edhe në dispozicion të ekipit të parë.
Vetë kampioni i botës që ishte prezent në finalen e turneut të Viareggios, gjigandi Fulvio Kolovati, vlerësoi jo pak elementët e kampit shkodran teksa për numërat 28 dhe 18 theksoi me një buzëqeshje konstante: “Cilësi teknike e bazike që së bashku me pasionin dhe mundësinë do ti shndërrojnë në lojtarë tepër determinant për të ardhmen”.
Dhe mundësinë e kanë, që të dy, sikundër edhe disa elementë të tjerë të spikatur. Por, si Simoni, edhe Sokoli për momentin kanë vetëm një pasion: Punën intensive, për tu rritur fizikisht dhe sportivisht. Teksa në anën tjetër, për ti dhënë mundësinë e rritjes dhe pjekurisë definitive në fushë si një ASET NË SULMIN kuqeblu, apo pse jo, edhe në atë kuqezi, misionin dhe detyrën e kanë trajnerët Martini e Plori, por pse jo, edhe ata të ekipit kombëtar.
Teksa shikonim finalen me ish-kampionin e botës Kolovati i thoja që Italia e moshës 17-vjec që erdhi e luajti në Tiranë në finalet e Europianit ishte një super skuadër.
“Absolutisht PO, më tha, por është një brez që duhet të luajnë dhe t’u jepër mundësia të luajnë e jo tu garantohet pankina. Ndryshe nuk rriten, por vriten profesionalisht. E njëjta gjë vlen edhe për elementët tuaj”. Një mesazh bazik për binjakët Uldedaj ndaj të cilëve, por edhe elementëve të tjerë vëmendja e stafeve të ekipeve kombëtare duhet të jetë përherë prioritare sepse kemi jo pak cilësi edhe në Shqipëri që pak I afrojmë sepse sytë i kemi nga jashtë. Simoni e Sokoli kanë hyrë tashmë në moshën 17-vjec, por lexohej qartë pasioni e grinta në sytë e tyre teksa arritën një sukses ndaj një ekipi të huaj.
Kishin pak fjalë, sepse sipas tyre është koha e punës dhe e përkushtimit. Vetë Simon e Sokol Uldedaj theksuan pas fitores së turneut me Vllazninë: “Natyrisht jemi të gëzuar, por na duhet të punojmë fort, të ulim kokën e të jemi në ballë të stërvitjes, për të rritur më shumë potencialin tonë. Trofeu na gëzon, por vetëm me punë do të kemi shumë trofe e suksese të tjerë”, thanë ata, sepse vijnë nga familje me pigment kampionësh në sport e biznes e ku natyrisht puna dhe angazhimi injektohen si secrete të suksesit.
Tashmë si Simonin dhe Sokolin do të kemi mundësi ti shohim në ekipin e Edi Martinit, por natyrisht edhe te Plori. Ata meritojnë thjesht një vëmendje më shumë, edhe nga Ekipet Kombëtare, kanë nevojë për një suport më shumë, dhe më pas ata vetë e kthejnë këtë besim në fushë. Për veten, por edhe për Shkodrën e Kombin. /Sport Ekspres/