E mbani mend Europianin e Francës në 2016? Katër lojtarë u lanë jashtë nga De Biazi, Herolind Shala, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Berat Gjimshiti. Ky i fundit ishte i vetmi që nuk bëri një reagim kundër kuqezinjëve, por ashtu kokëulur, u largua nga grumbullimi i Kombëtares. Më pas Gjimshiti u kthye më i fortë se kurrë më parë, për ta dërguar Shqipërinë me shiritin e kapitenit në Europianin e Gjermanisë, si kampion europe, pasi fitoi edhe Europa League, po me shiritin e kapitenit.
Një Deja Vu ndodh edhe me Europianin e Gjermanisë në 2024, është thuajse e njëjta skenë. Edhe pse në fakt, askush nuk e priste që kjo histori të përsëritej pasi UEFA lejoi që Kombëtaret të grumbullonin nga 26 futbollistë.
Por situata u përsërit, po e njëjta, Silvinjo la 4 lojtarë të rëndësishëm jashtë fushës së blertë. Myrto Uzuni, Sokol Cikalleshi, Keidi Bare dhe Arbnor Muja. Ky i fundit është për t’u duartrokitur me mënyrën sesi veproi kur mori vesh se kishte ngelur jashtë listës së Shqipërisë për në Europian, u soll në mënyrë identike ashtu si edhe Berat Gjimshiti.
Asnjë fjalë e vetme e thënë publikisht në drejtim të Shqipërisë apo Silvinjos, as nga menaxheri i tij dhe as nga ndonjë përfaqësues i lojtarit. I heshtur, Muja pranoi vendimin e trajnerit. Pavarësisht se ishte vetë Silvinjo që shkoi në Belgjikë për ta bindur Arbnorin që të vishej kuqezi dhe t’i tregonte se ishte pjesë e projektit të tij te Shqipëria, Muja e përtypi vendimin e marrë nga tekniku i Kombëtares, sado i vështirë është.
Pavarësisht se është njeriu që e ndien presionin më shumë se të gjithë të tjerët, ndryshe nga Bare, Uzuni apo Cikalleshi. Disa persona në Kosovë kanë ushtruar gjithmonë trysni dhe presion për zgjedhjen e Arbnor Mujës, që të mos kalonte te Shqipëria. E në këtë moment kur Muja u la jashtë, ata kanë qeshur dhe në disa raste janë tallur më te për t’i treguar sesa të drejtë kishin në fjalën e tyre, që Muja duhej të kishte shkuar te dardanët dhe nuk duhej të ishte veshur kuqezi. Pra, thika jo vetëm që nuk hiqet për të lehtësuar plagën, por rrotullohet për ta shtuar atë.
Ishte njeriu i shpirtit të festës në kualifikueset e Europianit. Ende e kemi të rrënjosur thellë në kujtesë momentin kur i gjithë stadiumi dhe lojtarët e Shqipërisë këndonin këngën “Mora Fjalë”, ndërsa Arbnor Muja mbyllte sytë dhe i këndonte zemra. Madje, për këtë gjë ai dha edhe shpjegimin e tij në Koha Shtesë.
Ndoshta tani nuk është në momentin e tij më të mirë në karrierë sa i përket ekipit, por ai është aty, për të dhënë kontributin e tij për Kombëtaren. I buzëqeshur edhe kur aktivizohej fare pak minuta në kualifikueset e Europianit, pasi për të Shqipëria është mbi të gjitha. Pavarësisht se mediat shqiptare e kanë kthyer diskutimin në vetëm 3 emra, nuk duhet të harrojmë që është edhe Arbnor Muja mes atyre që mungon. Nuk dihet ende nëse fati do t’i rikthehet siç ndodhi me Berat Gjimshitin, por me siguri mund të themi se kur Shqipëria të shkojë në Europianin e tretë, tani kemi dy shembuj ideal që janë vetmohues për Kombëtaren. Është Berat Gjimshiti dhe…Arbnor Muja. /Sport Ekspres/