Një arbitër i nivelit të lartë erdhi për ndeshjen e turit të parë në Champions League mes Egnatias dhe ekipit serb në Bosnje Hercegovinë, Borac Banja Luka. Në ndeshjen e parë pati një kaos të vërtetë ku për shkak të thirrjeve kundër shqiptarëve, lojtarët e Egnatias dolën nga fusha me dinjitet duke ndërprerë ndeshjen për 10 minuta derisa situata të qetësohej.
Duke parë vështirësinë e këtij takimi, UEFA caktoi një arbitër të Serisë A, Fabio Maresca, për të vendosur drejtësi në ndeshjen e kthimit. Dhe për të thënë të drejtën, niveli i këtij arbitri ishte i lartë. Në pjesën e parë, te Borac Banja Luka kërkuan të përsërisnin veprimin e Egnatias. Në minutën e 12, filluan thirrjet në Elbasan Arena kundër Serbisë. Trajneri i Borac i kërkoi lojtarëve të tij të dalin menjëherë nga fusha, me një plan që dukej që ishte ideuar që përpara nisjes së takimit.
Por ndryshe nga hera e parë, këtë herë bëhej fjalë për italianin Maresca që ka shumë autoritet. Ai shkoi menjëherë te lojtarët e ekipit serb të Bosnje Hercegovinës dhe i kërkoi që të riktheheshin në fushë, pasi sipas tij situata ishte shumë e qetë në shkallët e stadiumit dhe ky anormalitet nuk duhej të vazhdonte më. Të detyruar, futbollistët kundërshtarë u rifutën në fushë dhe kjo ndërprerje nuk zgjati më shumë se dy minuta. Por për fatin e keq, pas fitores 2-1 në Elbasan Arena dhe humbjes 1-0 në transfertë, Egnatia u eliminua nga Champions League nga ruleta ruse, duke u treguar e pasaktë në penallti. /Sport Ekspres/