“Bravo FSHF, trajneri ynë ndjek stilin e Mourinhos”! Arlind Sadiku: Lojtarët e Shqipërisë kishin frikë të ankoheshin te Silvinjo, autoritet i fortë

Arlind Sadiku, gazetari i njohur shqiptar në Kosovë ishte i ftuari i radhës në emisionin Koha Shtesë. Ai ka folur sa i përket raporteve të lojtarëve të Kombëtares me trajnerin Silvinjo. Sadiku tregoi edhe një detaj shumë interesant që tregon saktësisht autoritetin e teknikut të Shqipërisë. (Videon e plot të emisionit e gjeni më poshtë).

“Sipas informacioneve të mia, ka pasur pakënaqësi të disa lojtarëve në Europian për mos aktivizimin e tyre. Megjithatë të njëjtat burime më thonë se lojtarët nuk kanë pasur guximin për të shkuar dhe për t’u ankuar te trajneri për shkak të autoritetit të tij të madh që ka ndërtuar. Autoriteti po vazhdon njësoj nga Silvinjo. Kemi ftesën e Abrashit, ftesën e Spahiut, Zekës, të gjitha këto futbollistët i flasin me njëri-tjetrin dhe e shohin se kush lojtarë po luan dhe kush nuk e meriton të luaj.

Herët a vonë do të shfaqen këto ankesa në momentin që mungojnë rezultatet. Më kujton stilin e Contes apo Mourinho, që i do kompetencat 100% të tij dhe askush tjetër të mos përzihet në këtë punë dhe zgjedhjet t’i bëjë vetëm ai dhe të gjykohet vetëm ai. Sigurisht që FSHF meriton lëvdatat që i ka lënë hapësirat trajnerit pasi dihet që në Ballkan ka gjithmonë polemika nëse vendos vërtet trajneri për zgjedhjet apo jo. Por ne duhet të japim mendimin tonë edhe kur fiton Shqipëria se kush lojtar meriton të luajë”, tha Sadiku. /Sport Ekspres/