“Bravo, i kemi parë të gjitha ndeshjet e tua te Fulhami”! Dy gola kundër Zvicrës, Adrion Pajaziti tregon se çfarë i tha Silvinjo dhe Zabaleta

Adrion Pajaziti ishte ylli i Shqipërisë në përballjen kundër Zvicrës U-21. Kuqezinjtë e drejtuar nga Alban Bushi kanë fituar në shifrat 1-2 falë dy golave të Pajazitit. Në minutën e 85, portieri ynë Lilo priti një penallti ku Shqipëria siguroi përfundimisht tre pikët. Menjëherë pas pritjes së penalltisë ishte sërish Pajaziti që largoi topin me gjithë forcë nga zona jonë dhe sic e thotë edhe Adrioni në emisionin Koha Shtesë që transmetohet në Youtube, në atë moment dëshira ishte për ta nxjerrë topin jashtë stadiumit. Një moment vërtet mbreslënës teksa shihje kuqezinjtë e vegjël duke treguar gjithë pasionin dhe zemrën e tyre për ngjyrat kuqezi. (Videon e plot të emisionit Koha Shtesë me Adrion Pajazitin e gjeni më poshtë).

“Nuk është çështja e kualifikimit, por kur e ke fanellën dhe flamurin në gjoks, është ndjenjë tjetër. Kemi sakrifikuar shumë, kemi vrapuar shumë, bëm një ndeshje të mirë dhe kur arbitri e dha penallti u ndiem keq, nuk e merituam penalltinë, nuk ishte. Kur e priti Lilo pastaj kërcyem të gjithë dhe harruam që vazhdonte ndeshja më tej. Kur e pashë topin aty në zonë pastaj e hoqa me sa fuqi kisha, mundësisht ta nxirrja topin jashtë stadiumit dhe po vraponim të gjithë për të ikur sa më larg portës tone.

Silvinjo? Kam folur me të, me Zabaletën kur jam stërvitur disa ditë tani te Shqipëria A. Më kanë thënë që i kanë ndjekur të gjitha ndeshjet që i kam bërë tani në verë me ekipin e parë të Fulham, miqësoret përgatitore për sezonin e ri. Kam luajtur kundër Benfikës, Seviljës, kam shënuar gol kundër Ëatford. Ata i kishin shënuar të gjitha ndeshjet dhe më dhanë komplimente. Zabaleta më tha që bëra shumë mirë që shkova në Kroaci tani pasi është trampolinë që të tregojë veten dhe të shkojë në një klub tjetër më vonë”, tha Pajaziti. /Sport Ekspres/