Brazili, Kolumbia, Egjipti! Zbulohen rivalët e Shqipërisë nëse vete në Botëror, duhet mundur Serbia 

Shqipëria do të përballet në mbrëmjen e 7 qershorit kundër Serbisë. Një ndeshje që pritet me interes të lartë për shkakun e rivalitetit historik, një fitore kundër Serbisë shijon më shumë sesa ndaj një kundërshtari tjetër. Por në fakt, kjo ndeshje është më shumë sesa rivaliteti historik, luhet shumë për Shqipërinë. 

Kombëtarja jonë me brezin e artë që ka në dorë kërkon për herë të parë kualifikimin në Botëror. Problemi qëndron në faktin se jemi vetëm në ndeshjen e tretë të kualifikueseve, Shqipëria nuk ka bërë ende asnjë hap të gabuar duke hequr humbjen e pritshme në transfertën ndaj Anglisë dhe do të luajë menjëherë një finale ndaj Serbisë. 

Në rast fitore, shanset e Shqipërisë për vendin e dytë do të ishin më të larta se kundërshtari. Në rast barazimi, shanset tona do të veniteshin shumë dhe në rast humbje, do të ishin, thuajse zero, do të kërkohej një fitore në Beograd me patjetër dhe një sërë kombinimesh të tjera për të marrë vendin e dytë. 

E parë në këtë prizëm, fitorja me Serbinë nuk është vetëm një detyrim moral dhe historik, por njëkohësisht e vetmja mënyrë për të shkuar në Botëror, nuk ka më asnjë rrugë tjetër. Dhe nëse Shqipëria shkon në Botëror, do të gjendej në vazon e katërt, pra në vazon e fundit. 

Një faqe ndërkombëtare e specializuar për analizat e ndeshjeve të futbollit, ka nxjerrë një panoramë të ndarjes së vazove të Botërorit, ndërsa për momentin është vetëm Europa që nuk i ka nxjerrë ende ekipet e kualifikuara zyrtarisht, por në këtë rast, kjo faqe ka vepruar duke futur favoritët që do të kalojnë më tej. 

Dhe sipas tyre, Serbia ka më shumë shanse se Shqipëria, duke e lënë në vazon e katërt, po në të njëjtën vazo që do të gjendej Shqipëria nëse do të shkonte në Botëror. Kështu në këtë supozim, Shqipëria nuk do të ndeshej në Botëror me Greqinë, Arabinë Saudite, Jordaninë, Turqinë, Norvegjinë, Venezelën dhe disa ekipe të tjera pasi gjendej në të njëjtën vazo me ta. 

Por Kombëtarja jonë do të kapte rivalë nga vazo e parë si Brazili, Hollanda, Franca, Argjentina, në vazon e dytë ekipe si Uruguai, Kolumbia, Japonia,  Maroku, në vazon e tretë ekipe si Ekuador, Egjipti, Paraguai, Kameruni. E sigurt është se nuk do të ishte një short më i pamundur sesa ai i Europianit të Gjermanisë dhe do të shijohej shumë nga tifozët shqiptarë pasi do të përballeshim me rivalë që nuk i kemi pasur asnjëherë në historinë tonë. /Sport Ekspres/