Shqipëria ka bërë detyrën mbrëmjen e sotme. Kuqezinjtë kanë mposhtur Letoninë me shifrat minimale 1-0 në “Air Albania”. Ndeshja u vendos nga Kristjan Asllani në minutën e 25. Një prekje e topit me dorë në zonë i dha mundësinë e një 11 metërshi Kombëtares shqiptare. Asllani u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë kështu tre pikë mjaft të vyera kuqezinjve. Pas përfundimit të takimit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për mikrofonin e “Super Sport”-it.
Silvinjo: “Ishte një ndeshje e vështirë. Letonia është një kundërshtar i vështirë. Luajti pak ditë më parë një ndeshje kundër Serbisë të njëjtë si kundër nesh. Mund ta kishin barazuar në fund. E kemi vënë re Letoninë si skuadër edhe ndaj Anglisë, edhe ndaj Serbisë, në një apo dy raste që mund të kenë janë të rrezikshëm në ajër. Bëmë ndryshime në lidhje me Bajramin, sepse është një lojtar hibrid, që mund të luajë si jashtë zone, ashtu edhe brenda linjave në zonë. Ta hiqja Brojën 10-15 minuta më herët dhe të fusja Kumbullën, atëherë mund të sillja ekipin kundërshtar më pranë zonës. Kështu që thashë ‘jo’. Por në fund e bëra, sepse isha i shqetësuar për rezultatin.
Broja është një lojtar që ka bërë një ndryshim të rëndësishëm. Ndoshta do të ketë mundësinë të luajë më shumë. Sa herë vjen te ne, vjen me pak minutazh. Unë nuk e shoh Brojën si një ‘’9”-sh. Kam luajtur me Tieri Henrinë, por ai e shfrytëzonte anën e fushës. Ka lojtarë të tjerë si Viniciusi dhe Mbapeja. Ai pati disa hapësira në pjesën e dytë dhe ka bërë disa kundërsulme shumë të mira
Kemi parë Letoni-Serbi, por këtë të fundit jo. Nuk e kam ende në mendje Shqipërinë që do të luajë kundër Serbisë. Tani mundojnë edhe 3 ndeshje për ne. E radhës është shumë e rëndësishme. Jam krenar për të gjithë lojtarët e mi. Jemi stërvitur 10 ditë rresht për këto dy ndeshje. Bajrami bëri një rikthim shumë të mirë sot. Kam folur me të, si dhe me Asanin. Ai po stërvitet shumë mirë”.
Hysaj: “Më shumë duhet të shqetësohemi se përse nuk i mbyllim ndeshjet. Po ne e kemi pak në gjak që të vuajmë pak, se pa vuajtje nuk na ecën mirë gjithçka. Unë këtu vij gjithmonë për të luajtur. Nëse trajneri zgjedh që unë të mos luaj, unë e respektoj. Ai është bosi i ekipit dhe çfarë vendos ai duhet ta respektojmë. Kemi nevojë që të flasim, sepse me Serbinë është një ndeshje që të gjithë duam ta luajmë. Të marrim sa më shumë minuta në klube dhe të jëmi gati për atë ndeshje”.
Laçi: “Nga minuta e parë e treguam dëshirën që duhet ta fitonim këtë ndeshje. Në pjesën e parë krijuam raste, por na mungoi finalizimi. Kemi folur me lojtarët që krosojnë topin se 5 lojtarë në zonë nuk është e lehtë për t’i çarë. Por jemi të kënaqur me paraqitjen tonë, sepse rastet i kemi krijuar. Shpresoj që të na vijë goli edhe me Serbinë. Në Serbi na pret një ndeshje shumë e vështirë. E kemi treguar në “Air Albania” se nuk e kemi frikë Serbinë. Duhet të përmirësojmë finalizimin”.
Bajrami: “Nuk kam luajtur shumë kohët e fundit, por për Kombëtaren jam gjithmonë gati. Ky ishte shansi im. Ndeshjen e fundit kur luajtëm jashtë, e bëmë analizën mirë. Rëndësi tani ka që të kthehemi në klube dhe të fokusohemi aty. Kur të thërritemi sërish në Kombëtare, duhet të japi gati dhe të japim 100%. Këto biseda i kam pasur edhe me trajnerin. Unë ndihem më mirë pas sulmuesit, por luaj edhe në krahë”./Sport Ekspres/