Shqipëria luan mbrëmjen e nesërme ndeshjen e fundit në grupin K. Kuqezinjtë presin në “Air Albania” Anglinë, në një ndeshje që më tepër do të jetë për t’u shijuar, pasi kualifikimi tashmë është vendosur për të dyja skuadrat. Tomas Tuheli është paraqitur në konferencë për shtyp përpara gazetarëve, ku ka shuar kureshtjen e tyre.
Trajneri i Anglisë ka nënvijëzuar faktin se Shqipëria mbrohet mirë dhe do të jetë e vështirë për të krijuar raste. Ai shton se kuqezinjtë e merituan vendin e dytë në grup. I pyetur për Armando Brojën, të cilin e ka pasur lojtar te Çelsi, Tuheli ka thënë se sulmuesi shqiptar i sjell ekipit shpejtësi dhe fizikalitet. Ai është shprehur se është i vetëdijshëm për cilësitë e Brojës, por do të gjejnë një zgjidhje për t’u mbrojtur prej tij.
“Kemi marrë një rezultat të mirë që në grumbullimin e parë. Sigurisht që nesër do të duam të fitojmë ne. Por me Shqipërinë është e vështirë që të thyhet barriera e tyre. Kanë pësuar vetëm 3 gola, 2 prej tyre nga Anglia. Do të jetë e vështirë për të krijuar raste, por të shohim nesër.
A mendova se Shqipëria do të dilte e dyta në grup? Mendova që Shqipëria dhe Serbia janë dy skuadra me pasion për futbollin. Gjithmonë, tradicionalisht, kanë pasur lojtarë të talentuar. Menduam që këto dyja do të ishin skuadrat për t’u mundur. E shohim që Shqipëria e meritoi vendin e dytë. Siç e thashë, ka pësuar vetëm 3 gola. Është e vështirë të krijosh dhe të përfundosh shanset kundër skuadrës suaj.
Mendoj se do ta dominojmë lojën, shpresoj të jetë kështu. Por vetëm kontrolli i topit nuk mjafton. Duhet ta transformojmë kontrollin e topit në shanse. Nëse krijojmë shanset mund të jemi klinikë, kemi cilësi për të shënuar. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe emocionale.
E njoh Armandon shumë mirë, sepse ka qenë lojtari im te Çelsi. Ai tani po luan rregullisht me Kombëtaren. Më tepër luan në të djathtë, aty e presim që të luajë edhe nesër. Ai i sjell ekipit shpejtësi, fizikalitet. Është gjithmonë i rrezikshëm, sepse mendon që të shënojë dhe të japë asiste. Jemi të vetëdijshëm për të. Shpresoj që do të kemi zgjidhje për t’u mbrojtur ndaj tij. Por uria për të fituar është më e madhe se sa frika për të humbur, ose për të ndërprerë serinë pa pësuar gol”, ka deklaruar Tomas Tuheli./Sport Ekspres/