Pa frikë mund të themi se Mario Mitaj është lojtari më i talentuar që ka aktualisht Shqipëria. Talenti i këtij futbollisti është i një tjetër kalibri. Zoti jo vetëm që e ka bekuar, por e ka tepruar realisht me bekimin e madh që i ka dhënë këtij njeriu. Jo vetëm këmbët që janë për t’u puthur, por edhe një kokë të ftohtë që e veçon nga të gjithë të tjerët.
Frika ekziston në shumë njerëz, por jo te Mario Mitaj. Nëse do të ishte një personazh filmi, një njeri me mendësinë e Mitajt do të ishte padyshim një “serial k.iller”. I tillë është mbrojtësi ynë që si kur erdhi te Kombëtarja dhe kur luan në klube, e mban topin në zonën e tij mes 3-4 lojtarëve, pa asnjë ndjesi frike se do ta humbasi dhe del gjithmonë me top.
Një tjetër driblim kryevepër ka bërë dje Mitaj që ka ngritur në këmbë të gjithë stadiumin, duke marrë duartrokitjet e merituara për spektaklin e ofruar. Al Ittihad është ndeshur në Champions League e Azisë ndaj Al Sharjah të Rei Manaj dhe Feta Fetait, duke fituar në shifrat 3-0.
Mario Mitaj ishte një prej lojtarëve më të mirë në fushë dhe një driblim i tiji gjatë ndeshjes i ka lënë të gjithë pa fjalë. Si një ruletë ku asnjëherë nuk dihet krahu se ku ajo do të rrotullohet, Mitaj rrotulloi jo pak, por dy herë, dy lojtarë të Al Sharjah pas vetes së tij dhe në fund doli sërish me topin në kontroll.
Tërësisht të dorëzuar dhe të pakënaqur me veten e tyre, dy kundërshtarët që në atë moment u kthye në piketa, u demoralizuan për mënyrën sesi Mitaj u tall me ta, duke i trajtuar si lojtarë të ekipeve të moshave dhe jo lojtarë të ekipit të parë të Al Sharjah.
Në mediat në Arabinë Saudite është ngritur edhe një temë shumë interesante mbi Mitajn. Sipas tyre, Conceicao e ka transformuar këtë futbollist në aspektin sulmues. Në vetëm pak ndeshje me këtë trajner, Mitaj ka bërë shumë herë më tepër në fazën sulmuese sesa në të gjitha ndeshjet e shkuara me Al Ittihadin. Kjo për faktin se në momentin kur Al Ittihad ka topin, Mitaj nuk qëndron si mbrojtës i majtë, por si një mesfushor i majtë dhe që tenton thellësinë në krahun e sulmit. Padyshim që te Shqipëria duhet të kërkojnë dhe të gjejnë me cdo kusht një mbrojtës të majtë për t’i dhënë lirinë Mitajt që ta përdorim në pjesën sulmuese. Një talent të tillë, me këmbë të tilla, është shumë mëkat që ta djegësh në mbrojtje, ai kërkon liri… /Sport Ekspres/