Futbolli është më shumë sesa një lojë ku vrapohet për të arritur topin. Është shumë më tepër se kaq, veçanërisht kur ne ndalemi te Kombëtarja. Është pikërisht ajo, Shqipëria jonë, që na dërgoi zemrat peshë dhe na dërgoi adrenalinën në maksimumin kur pas 23 sekondash, Bajrami dërgoi topin në rrjetën e Italisë.
Ndërkohë në ditën e sotme, në orën 3 të drekës, Shqipëria do të luajë kundër Kroacisë. Është si një finale e madhe për ne pasi në rast fitore, do të ëndërrojmë për kalimin nga faza e grupit, ndërsa në rast humbje, shuhen të gjitha shpresat tona për më tej.
Por çfarë po ndodh në Shqipëri në këtë ditë të veçantë? Po përjetohet si të jetë një festë Kombëtare. Ndeshja me Italinë kishte të njëjtin impakt, por këtë herë rëndësia është më e madhe.
Nëse kundër Italisë ndeshja ishte në mbrëmje dhe të gjithë njerëzit e kishin përfunduar punën, nuk ndodh kështu ndaj Kroacisë. Shumë biznese në Shqipëri do të ulin qepenat për 2 orë, teksa punëtorëve u është dhënë lajmërimi një ditë përpara se puna e tyre do të mbyllet rreth orës 1 që të kenë mundësinë për të ndjekur ndeshjen e Shqipërisë. Kjo tregon shumë për mënyrën sesi përjetohet futbolli në vendin tonë. /Sport Ekspres/