Kristjan Asllani në një super formë! Në mesnatën e djeshme me orën e Europës, rreth orës 3 të mëngjesit, Interi ka luajtur ndeshjen e parë për Botërorin e klubeve kundër Monterrey. Një ndeshje e cila përfundoi në shifrat 1-1, ndërsa nga minuta e parë e takimit u hodh në fushë Kristjan Asllani. Mesfushori shqiptar luajti për 70 minuta dhe më pas vendin e tij e mori afrimi i ri në mesfushë, Susic, i cili me nervozitetin e ndeshjes së parë, nuk pati një performancë të mirë.
Ndërkohë Kristjan Asllani, veçanërisht në pjesën e parë, zhvilloi ndeshjen më të mirë me fanellën e Interit. Largimi i Inzaghit duket se i ka bërë mirë futbollistit shqiptar, i cili e vuante shumë presionin e këtij trajnerit dhe shprehjet e tij nga pankina, duke shfaqur të gjithë nervozitetin që rëndonte jo pak këmbët e Asllanit. Madje disa thonin se sa herë që Asllani pasonte në kohën e Inzaghit, kthente kokën nga trajneri për të parë shprehitë e tij të fytyrës.
Në golin e parë dhe të fundit për Interin kundër Monterey, në barazimin 1-1, gjithcka erdhi nga këmbët e Kristjan Asllanit. Një goditje dënimi e ekzekutuar në gjenialitet, aq sa shumë e krahasuan me pasimet që vinin nga Iniesta në kohën e tij. Pasimi perfekt shkoi në këmbët e Augustos, që më pas gjeti Martinez me portën e boshatisur, për ta shtyrë topin më pas drejt rrjetës dhe portës së boshatisur. Komplimentet erdhën menjëherë edhe nga Barella, ndërsa duartrokitjet erdhën edhe nga Chivu nga pankina për mënyrën sesi Asllani e ekzekutoi atë goditje dënimi.
Pjesa e parë ishte perfekte për shqiptarin që për herë të parë luajti te Interi si me Kombëtaren. Një vetbesim i rritur, vertikalizime, një temp ndryshe i lojës së tij teksa shihej duke vrapuar shumë si në lojën me top dhe pa top, ndërsa difekti i tij i vetëm dhe mangëseia e treguar në këtë ndeshje ishin duelet fizike. Në momentin e dueleve fizike, Asllani i humbiste ato dhe më pas shtrihej për të kërkuar një faull të paqenë, për të treguar edhe njëherë tjetër problemin me mungesën e palestrës dhe fizikut jo ideal, tek e cila vuajti shumë në atë ndeshje me Milanin në Superkupë. Asllani nën drejtimin e Chivu mund të transformohet, ndryshe nga koha me Inzaghin, shanset e tij për të qenë pjesë e Interit tani janë rritur shumë. /Sport Ekspres/