“Cikalleshi ka të drejtë që është mërzitur”, Duka tregon këshillën për Silvinjon: Zgjidh me arsye dhe jo me zemër! Listën e mësova në konferencë

Armand Duka ka dhënë një intervistë për “Euronews Albania”-n, ku ka folur për listën paraprake të shpallur nga Silvinjo. Kreu i FSHF-së ka treguar se e ka mësuar listën në konferencë për shtyp, ndërsa zbulon këshillën që i ka dhënë trajnerit. Sa i përket lënies jashtë të Cikalleshit, Duka është shprehur se mërzia është tërësisht e kuptueshme, por zgjedhjet janë subjektive dhe ato i takojnë vetëm Silvinjos.

“Zgjedhjet janë gjithmonë subjektive. Çfarëdo zgjedhjesh të bënte trajneri, do të kishte diskutime. Zgjedhet, me të drejtë mund të kenë lënduar dikë. Nuk kam preferuar ta di listën përpara se të shpallej në konferencën e shtypit. Por vetëm një gjë ia kam thënë. Kam diskutuar një ditë para me misterin. I kam thënë: ‘Tani këtu jemi për një luftë sportive dhe ti duhet të përdorësh arsyen dhe jo zemrën. Do të zgjedhësh atë që mendon se të ndihmon më shumë në Gjermani’. Besoj se atë ka bërë. Me zgjedhjet e tij pas shpalljes, argumentat e Silvinjos më janë dukur vërtetë bindëse.

Cikalleshi mund të ishte shumë mirë në Kombëtare, sepse ka kontribuar shumë. Ka kontribuar gjatë gjithë kualifikueseve. Por nëse Cikalleshi do të ishte brenda dhe Broja do të ishte jashtë, do të kishim të njëjtin diskutim. Prandja thashë që kjo gjë është subjektive. Nuk mendoj se do të isha më pak i mërzitur se Cikalleshi po të isha në vend të Cikalleshit. Do të isha mërzitur shumë dhe ndoshta do të bëja ndonjë deklaratë më tepër se sa tërheqja nga Kombëtarja. Kjo sepse kur ti e do një gjë, ke kontribuar dhe të duket sikur të jetë bërë një padrejtësi. Edhe mund të jetë, pasi në vlerësimin e dikujt mund të jetë Cikalleshi më i mirë se Broja, në vlerësimin e Silvinjos është Broja më i mirë se Cikalleshi. Me të drejtë është mërzitur”, ka deklaruar Armand Duka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/