Kur mbaruan ndeshjet e dyta të Conference League, më saktë turet e dyta nga ekipet shqiptare, ne i kemi kushtuar një vëmendje më të madhe Dinamos, duke e dalluar mes të tre ekipeve të Superiores. Jo për fitoren në transfertë ndaj Atletic Escaldes që shumëkush në Shqipëri mund t’i quajë amatorë, por nga ana tjetër vit pas viti jemi eleminuar nga ekipe të Maltës, Andorrës, Bosnja dhe niveleve të tilla që janë shumë më poshtë sesa skuadra në fjalë.
Arsyeja se përse e veçuam Dinamon ishte përtej fitores, loja e bërë nga ekipi i Ilir Dajës. Në ndeshjen e transfertës, që nga minuta e parë dhe deri në minutën e fundit, Dinamo e bëri ndeshjen me një portë duke shpërdoruar 5 raste të pastra, duke fituar 1-2 dhe duke mos u goditur asnjëherë mbrapa përveç një gol rastësor të pësuar. Pra një ndeshje ku për 90 minuta Dinamo mbante topin dhe sulmonte, kjo nuk kishte ndodhur që prej shumë kohësh nga ekipet shqiptare në transfertë. Pavarësisht sesa “amator” apo modest janë kundërshtarët tanë, në shtëpi herë pas here mund të tregojmë pak superioritet, por në transfertë pakkush ka bërë një ndeshje model si ajo e Dinamos.
Dhe kur pritshmëria u ngrit në nivele maksimale, erdhi zhgënjimi. Në ndeshjen e dytë, Dinamo thjesht ndaloi së luajturi futboll, nuk ishte më ajo Dinamo e ndeshjes së parë. Nga një ndeshje që mund të dilte në shifrat 1-5 te një tjetër, ku Escaldes me pak fat mund ta kishte eleminuar ekipin shqiptar dhe kjo në vetvete do të ishte një dramë e madhe duke parë 90 minutëshin e kaluar.
Deliri i madhështisë i shoqëron gjithmonë shqiptarët, teksa ne e kemi të pamundur që të luajmë dy ndeshje njësoj. Ose në të parën do të zhgënjejmë dhe në të dytën do të përpiqemi të rregullojmë dëmet sa të mundemi ose në të parën do të shkëlqejmë dhe në të dytën, do të tregojmë mendësinë e gabuar të nënvlerësimit si të ishim një ekip i Serisë A. Asnjëherë njësoj!
Rastet e humbura shpesh me një papërgjegjshmëri të madhe janë të frikshme te Dinamo, një nga problemet më të mëdha. Por në fakt Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi nuk luajnë për Dinamon, të tillë dukeshin disa futbollistë në fushë dje sikur të kishin bërë një histori të madhe më herët dhe tani duhej të ulnin ritmin dhe ta shtonin atë, vetëm kur kërkohej.
Te Dinamo ekziston vetëm një Baton Zabërgja, që për hir të së vërtetë është në një nivel tjetër dhe gjitha pjesa tjetër, është aty, në nivel normal. Shqiptarët janë ende në kërkim të një modeli dhe për këtë arsye ky kualifikim i Dinamos lë një shije të hedhur. Pas atij turpërimi të Egnatias ndaj Brediablik, të gjithë u hodhën me sytë nga Dinamo e Dajës për të parë diçka ndryshe, për t’u krenuar me të dhe për të pasur shpresa sa më shumë për të ardhmen. Kjo nuk ndodhi, Dinamo zhgënjeu shumë me lojën, por në fund të fundit llogaritë personale ashtu siç e tha edhe Ilir Daja janë shumë pozitive për ta.
Dinamo në turin e tretë të Conference League, një arritje e madhe veçanërisht për një ekip që ka vuajtur shumë në vitet e fundit dhe tani do të luajnë me Hajduk Split. Financa, përfitime dhe histori, për Dinamon, është gjithçka në rregull edhe me një kualifikim të tillë, jo të bukur për t’u parë. Problemi qëndron tek tifozët shqiptarë që nuk gjejnë dot një përfaqësim në një ekip që të jetë model dhe të ngrihet në pritshmëritë e tyre. Nuk ishte as Dinamo, mbetet vetëm Shkëndija… /Sport Ekspres/