Dashakeqësia/ Thonë se Ukraina uli impenjimin në ndeshje, nuk duartrokasin djemtë tanë që luajnë për fanellë

Pavarësisht se Shqipëria mori fitoren e parë në histori ndaj Ukrainës, pavarësisht se Shqipëria përmbysi Ukrainën në transfertë, dashakeqësia dhe zëri kritik nuk ka të mbaruar. Si gjithmonë, kur goditet Shqipëria, mënyra më e mirë për të “nxirë” suksesin është të ulësh kundërshtarin, për të tentuar uljen e vlerës së suksesit.

Pra, disa zëra thonë se Ukraina uli impenjimin e ndeshjes duke e trajtuar si miqësore, por nuk thonë nga krahu tjetër se djemtë kuqezi meritojnë gjithë duartrokitjet për faktin që po luan për flamur pasi u impenjua si të luante një ndeshje Europiani.

Në këtë zë kritik diçka është e saktë, por jo në mënyrën sesi ata e shtrojnë diskutimin me tendencë. Në Ligën e Kombeve ka shumë Kombëtare që e kanë ulur ritmin dhe impenjimin, madje edhe Rumania pas një super Europiani të zhvilluar, për pak humbi në shtëpi nga Lituania.

Por a mos ndoshta të gjithë këto tregues, janë për të ngritur sa më lartë djemtë e Shqipërisë? A mos këto tregues janë për të thënë që sado e një rëndësi më të ulët është ndeshja, lojtarët e Kombëtares kanë të njëjtën shpirt luftarak pasi po vendosin flamurin dhe stemën përpara të gjithave?

Jo më kot pas shumë përplasjeve të lojtarëve të pakënaqur me Silvinjon, në fushë nuk u tregua asgjë. Kjo pasi për lojtarët është më i rëndësishëm suksesi i Kombëtares sesa interesi i tyre personal.

Dashakeqësia dhe tendenca e zërave kritik në Shqipëri tregohet në momentin kur thonë se Shqipëria fitoi kundër një Ukraine të paimpenjuar, ndërsa ngrenë në qiell të shtatë Gjeorgjinë që mundi Cekinë 4-1. Sot, për ta, është Cekia më e mirë në histori ndërsa dje kur ne e mundëm Cekinë, ishte më e dobëta në histori. Gjithmonë ky fenomen, sa herë që Shqipëria fiton, sipas tyre, fitojmë kundër kundërshtarëve më të dobët në histori. Një histori që nuk ndryshon kurrë, të jeni të bindur se edhe nëse fitojmë sot kundër Gjeorgjisë, po të njëjtët njerëz do të tregojnë se gjeorgjianët ishin të lodhur dhe të dehur nga fitorja me çekët. /Sport Ekspres/