Deklarata e gazetarëve shqiptarë trondit trajnerin e Serbisë: E kuptoni ç’po ndodh në Tiranë? 

Shqipëri-Serbi është ndezur zyrtarisht, tani mund të quhet me plot gojën se jemi në periudhën e ndeshjes së madhe që na pret përpara dhe atyre emocioneve që janë shumë të forta. Kjo përballje do të zhvillohet në datën 7 qershor, ndërsa Shqipëria kërkon me patjetër fitoren për të qenë favorite sa i përket vendit të dytë në tabelë. 

Ndërkohë sot ishte i pranishëm në konferencën për shtyp edhe trajneri i Serbisë, Stojkovic. Ky i fundit foli për shumë problematika, për lënien jashtë të Milinkovic Savic, Tadic, Sviliar, ndërsa tha gjithashtu se nëse ai do të ishte problemi i Serbisë, do të jepte menjëherë dorëheqjen. 

Por një temë shumë interesante është prekur nga Stojkovic dhe bëhej fjalë për biletat. Një intervistë e jonë për emisionin “Radio Dukagjini” në Kosovë ka bërë një bujë të madhe dhe ka marrë shpërndarje të gjerë në rrjetet sociale. Në deklaratat zyrtare të FSHF është thënë se ka pasur 200 mijë kërkesa për bileta, por në informacionet tona, kemi deklaruar për emisionin sportiv “Radio Dukagjini” se ka pasur 1.2 milionë kërkesa për bileta. 

Ky lajm ka shkuar deri te trajneri i Serbisë, Stojkovic, i cili i pyetur nga gazetarët rreth 200 mijë interesimeve për bileta, ka treguar anën tjetër. “200 mijë interesime për bileta? 2 milionë, jo 200 mijë, nuk ka stadium me këtë kapacitet, as në botë për t’i mbajtur tifozët. Më kanë thënë se janë 2 milionë interesime për bileta. Por është e njëjta histori, tensioni rritet, është e kuptueshme para një ndeshje të tillë. Sigurisht që rivaliteti ynë ekziston, kjo dihet. Por ne i shohim shqiptarët si miqtë e sportit dhe ata na shohin kështu, marrëdhënia mes dy Federatave të Futbollit është shumë e mirë, do të bëhet edhe një Europian. Lojtarët e kuptojnë se çfarë atmosfere do të krijohet, por do të jenë shumë profesional. Nuk janë fëmijë për të parë stadiume të itlla njëherë në jetën e tyre. Nuk do të shkojmë në Shqipëri të frikësuar dhe të luajmë vetëm për barazim, për këtë të jeni të sigurt dhe nuk presim që njerëzit të rrinë ulur dhe thjesht të shohin, e dimë se ata do të bëjnë gjithcka që mund të bëj një tifozeri nga shkallët e stadiumit”, tha Stojkovic. /Sport Ekspres/