“Abissnet Superiore” ka ulur siparin mbrëmjen e sotme. Egnatia është shpallur kampione e Shqipërisë për të dytin sezon radhazi. Rrogozhinasit kanë mposhtur Vllazninë me shifrat 0-4 në finalen e “final four”-it, duke arritur kështu një tjetër sukses madhor. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka uruar klubin Egnatia për titullin kampion përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”. Duka gjithashtu ka shprehur dëshiën e tij për një përfaqësim sa më dinjitoz nga ekipet shqiptare më Europë.
“Urime ekipit të Egnatias për fitimin e titullit kampion në Abissnet Superiore! Një sezon fantastik, me beteja të shumta deri në momentet e fundit në kampionatin e rregullt dhe i mbyllur me një finale me emocione në “Arenën Kombëtare”. Përgëzime për fituesit dhe për të gjitha ekipet garuese, duke nisur nga Vllaznia finaliste e deri tek ekipi i fundit që garoi në Abissnet Superiore për të arritur objektivat e veta.
Urime lojtarëve të Egnatias, stafit teknik, drejtuesve dhe tifozëve që ndoqën dhe mbështetën skuadrën e tyre në këtë rrugëtim të përmbyllur me trofe. Dëshiroj shumë një përfaqësim sa më dinjitoz të ekipeve tona në kupat e Europës në vazhdim, që do të ishte edhe shpërblimi më i madh për punën e bërë gjatë gjithë sezonit futbollistik”, ka shkruajtur Armand Duka./Sport Ekspres/