Dështoi të fitonte dhe po humb terren në garën për titull, Murinjo: Këtu në Turqi po shoh gjëra që nuk i kam parë prej kohësh në karrierën time

Fenerbahçja ka dështuar të marrë tre pikët mbrëmjen e sotme, çka ka bërë që të humbasë terren në garën për titull. Ekipi nga Stambolli ka barazuar me rezultatin 1-1 kundër Ejypsporit, duke mos arritur të marrë asnjë fitore kundër ekipeve që renditen në 6 vendet e para të Superligës turke. Murinjo ka folur pas ndeshjes për “BeIN Sports”, ku ka deklaruar se në Turqi po sheh gjëra që nuk i ka parë prej shumë kohësh në karrierën e tij. Më tej ai kërkon nga lojtarët e Fenerbahçes që të japin më tepër nga vetja, pasi i di cilësitë e tij dhe të skuadrës.

“Disa gjëra janë të vështira në Turqi. Këtu shoh gjëra që nuk i kam parë prej shumë kohësh në karrierën time. Si ato incidentet që ndodhën brenda gjatë pushimit pas pjesës së parë. Incidente të tilla gjithashtu shqetësojnë atmosferën e ndeshjes. Në fakt, shumica e lojtarëve kanë qenë këtu prej një kohe të gjatë. Ata duhet të mësohen me këtë. Lojtarët e rinj duhet të kenë një tjetër qendrim për t’u përshtatur. Klubi i jep futbollistëve mundësitë më të mira. Ka gjithçka për t’i mbështetur lojtarët. I di cilësitë e mia dhe cilësitë e skuadrës sime. Gjithashtu lojtarët e mi duhet të japin pak më tepër”, ka deklaruar Zhoze Murinjo./Sport Ekspres/