Egnatia ka arritur të dominojë në kohët e fundit skenën e futbollit shqiptar, me shumë meritë. Pengu i madh dhe ëndrra e paplotësuar e presidentit Demrozi ka qenë Europa. Egnatia mbetet një krenari e madhe për qytetin e vet, por jo për shqiptarët. Europa është vendi i vetëm ku shqiptarët bashkohen përpara se të ndahen në kampionat dhe rezultatet nuk kanë qenë aspak në nivelin e pritshmërive.
Por Europa ka kaluar dhe ky sezon sheh një rivalitet si kurrë më parë për titullin kampion. Elbasani, Egnatia, Dinamo dhe Vllaznia janë një marsh përpara të gjithë të tjerëve dhe duket se do të jetë kjo katërshja e Final Four, pa harruar Teutën që do të jetë aty për t’i kërcënuar në çdo moment dhe të përfitojë kur dikujt prej këtyre skuadrave t’i rëshkas këmba.
Ku duhet të ruhet më shumë Egnatia, kush ia rrezikon më shumë titullin Egnatias? Të gjithë do të përmendin Vllazninë dhe Dinamo, por kujdesi më i madh duhet të tregohet ndaj Elbasanit. Elbasani është një “krijesë e klonuar” e suksesit të Egnatias. Gjithçka e njëjtë, ngritja, atmosfera, tifozët, paçka se i ka më të zjarrtë dhe mbi të gjitha, presioni, është po i të njëjtit nivel si përpara se Egnatia të fitonte për herë të parë titullin kampion.
Një “rrëzim i vogël” ku i iku nga duart Europa nga Partizani i Skënder Gegës dhe tani rikthehen duke treguar gjithë projektin serioz, për të marrë atë që i takon, Europën në rastin më të keq. Përse Elbasani duhet të merret seriozisht në këtë rast? Sepse Dinamo e Ilir Dajës nuk është kaq e uritur. Thuhet shpesh në futbollin europian se shumë herë fiton ai që e dëshiron më shumë fitoren. Uria e këtij trajneri nuk është e të njëjtit nivel me të Elbasanit, përkundër faktit se Ilir Daja është ambicioz i madh dhe kjo ambicie e kërkon që të fitojë gjithçka i del përpara syve.
Por për Ilir Dajën nuk është problem humbja e një kampionati, Ilir Daja bëhet gjithmonë trajneri i të gjithë shqiptarëve në Europë kur shpesh bën befasira që kalojnë kufijtë tanë. Kostumi i triumfatorit të Superiores për të rri shumë ngushtë, nuk e entuziazmon, kërkon diçka më shumë sesa keq. Dhe presioni i tifozëve është thuajse zero, Dinamos i mungojnë tifozët për të shkundur ekipin edhe atëherë kur janë të dremitur.
Nga krahu tjetër, Vllaznia ka treguar në vitet e fundit se është ajo skuadra që pasi e mbush mirë kupën, me një lëvizje totalisht të pakuptueshme, do ta derdh po vetë. Me Martinin ekipi është bërë njësh dhe thuhet se këtë herë, nuk do të dështohet, ndryshe nga më parë. Por këtu qëndron edhe problemi kryesor i Vllaznisë. Në Shkodër, për Vllazninë flitet si për Kombëtaren në të gjithë Shqipërinë në këto kohë, atje është gjithmonë.
Pra përjetimi është shumë i madh, por në një qytet që përjetimi është shumë i madh, presioni po ashtu. Dhe lojtarët e Superiores, jo vetëm të Vllaznisë, e kanë të pamundur të mbajnë mbi supe një presion të këtij niveli kaq të lartë. E thënë më ndryshe, në të gjitha vitet Vllaznia ka pasur një tifozeri dhe ambient që është shumë më lart sesa ekipi që kanë. Jo vetëm ekipi i Vllaznisë, por çdo ekip i Superiores nuk do t’i përgjigjej dot, përvec Skënderbeut të kohës së artë. Dhe këtu del në skenë Elbasani. Një skuadër që ka tifozeri shumë të flaktë dhe që mbushin stadiumin, por që nuk vendosin asnjë lloj presioni mbi këtë skuadër të re. Ata janë të lirë të luajnë dhe të marrin rezultatin që dëshirojnë për sa kohë nuk “e bëjnë baltë” me humbjet radhazi.
Pra nëse Vllaznia është e detyruar të fitojë, Elbasanit i lejohet gjithçka. Trajneri Gozdenovic ka qenë një tjetër goditje e bukur e drejtuesëve të klubit. Një serb, e vërtetë, por një serb përjashtues ndoshta. Në asnjë rast provokues, ka mësuar gjuhën shqipe më mirë sesa shumë shqiptarë që emigrojnë gjetkë afër nesh dhe një njeri që gjithmonë kërkon paqen, jo konfliktin. Dhe për ta mbyllur, në këtë fazë të parë, Elbasani tregoi se është mjaftueshëm i pjekur sa për t’u ringritur nëse bie. E nisi me fitore dhe mori të gjithë vëmendjen, pasoi me dy humbje radhazi me Vorën dhe Vllaznisë, atje ku sërish njerëzit e lëshuan duke menduar se ishte një flluckë e kot e ngritur në javët e para dhe më pas u rikthye me tre fitore radhazi. Elbasani ka shumë për të thënë, në fushë dhe tribuna. /Sport Ekspres/