Ndeshja e kthimit e Dinamos në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës nuk do të luhet në “Elbasan Arena”. Kampionët në fuqi të Kupës së Shqipërisë kanë njoftuar përmes faqes së tyre zyrtare në “Facebook” se do ta presin Hajdukun e Splitit në “Air Albania”. Një lajm i mirë ky për tifozët dinamovitë, të cilët do të kenë mundësinë për të qenë më të shumtë në numër në shkallët e stadiumit. Dinamoja ka nevojë për atmosferën e zjarrtë të tifozerisë për të kaluar këtë pengesë të vështirë si Hajduku i Splitit. Ndeshja do të zhvillohet më 14 gusht dhe do të përcaktojë se cili ekip do të kualifikohet në “play off” të Ligës së Konferencës.
“Njoftim i rëndësishëm. Klubi dinamovit bën me dije se ndeshja e kthimit kundër Hajduk Split, e vlefshme për turin e tretë të UEFA Conference League, do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”. Presidenti Adrian Bardhi ka bërë të gjitha përpjekjet dhe ka plotësuar dëshirën e tifozëve blu, të cilët tashmë kanë më shumë mundësi për ta përkrahur ekipin e zemrës nga afër në kryeqytet. Ndryshimi i stadiumit për ndeshjen e programuar për më 14 gusht nga “Elbasan Arena” në “Air Albania”, është konfirmuar edhe nga UEFA”, ka njoftuar klubi Dinamo./Sport Ekspres/