Ëndrra për titull kampion vazhdon. Vllaznia ka eleminuar Dinamon dhe është kualifikuar për në finale. Ishte Bekim Balaj ai që i dha fitoren shkodranëve. Sulmuesi kuqeblu tundi dy herë rrjetën në pjesën e parë të takimit, përkatësisht në minutën e 29 dhe në të 36. Në të dyja rastet, goli u shënua nga pika e bardhë e penalltisë.
Dinamo mori frerët e lojës në duar në pjesën e dytë të takimit, kur dominoi kundërshtarin. Itodo ngushtoi shifrat në minutën e 51-të, por goli i tij nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Kështu Dinamo ndërpret rrugëtimin drejt titullit kampion, ndërsa Vllaznia do të presë mbrëmjen e nesërme për të mësuar kundërshtarin që do të ketë në finale. Pas ndeshjes, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Brdariç (Vllaznia): “Nuk mund t’i parandalosh të gjitha. Dinamo është një nga ekipet më të mira. Kanë një trajner shumë të mirë. Kanë shumë alternativa. Ishim pak në vështirësi në pjesën e dytë. Por shtuam një qendërmbrojtës dhe ishim më mirë. Gruda mori një karton të verdhë dhe nuk donim të rrezikonim më shumë.
Partizani apo Egnatia? Kam respekt për të dyja. Egnatia është kampione në fuqi. Do të jetë një ndeshje mjaft e fortë. E dimë që Partizani do të luftojë deri në fund. E kanë merituar të jenë këtu. Nuk e di nëse do të jem këtu në stadium, apo do ta shoh në shtëpi. Ne e kemi merituar fatin. Herën e fundit nuk kishim një stol me kontigjent, ndërsa këtë vit e kemi. Edhe fryma e grupit. Kemi shumë energji me njëri-tjetrin.”./Sport Elspres/