Java e 31-të e “Abissnet Superiore”-s është mbyllur me fitoren e Dinamos. Nëndetësja blu ka mposhtur Erzenin me rezultatin 2-0. Dinamovitët shënuan nga një gol në secilën pjesë ndaj shijakasve. Denison Silva zhbllokoi rezultatin në minutën e 19, ndërsa në të 72-tën ishte Kaçorri ai që vulosi rezultatin përfundimtar në 2-0.
Dinamo ndez kështu garën për vendin e 4-t, të cilin e rimori me 3-pikëshin e fituar sot. Skuadra e Mehmetit i shpall lu.ftë Tiranës për biletën që do t’i dërgojë në “final four”. Më poshtë mund të ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “Jemi në një pikë të kampionatit ku jemi në një luftë të fortë sportive. Të gjitha skuadrat luftojmë për pikë. Nga presioni, ka momente kur lojtarët dalin nga detyrat e tyre. Sa i përket fitores sot, dua të falenderoj të gjithë çunat dhe Dinamon për atë që dhanë sot. Kemi arritur nëj mini-objektiv, atë të shpëtimit nga kategoria. Është një kampionat i çmendur. Objektivi ka qenë që unë të siguroj Superiore. Kjo ka qenë në kontratë. Duhet të rrimë me këmbë në tokë. Nuk ka asgjë të sigurt. Matematikisht kemi shmangur rënien direkt nga kategoria. Jam i kujdesshëm për atë që them, pasi jemi në garë me skuadrat e tjera. Me disa kemi edhe ndeshje direkte. Duhet të respektojmë vetën”.
Deliallisi (Erzeni): “Dihej rëndësia e ndeshjes. Ne nuk kishim se çfarë të humbimin, pasi vetëm fitorja na bënte punë. Më vjen keq se sa thjeshtë i pësojmë golat. Pësojmë me gjysmë rasti. Ia dhuruam golat kundërshtarit. Përderisa matematika na mban në lojë, ne do të luftojmë. Nuk kemi përse të dorëzohemi. Janë edhe 15 pikë në lojë, diferenca është 6 pikë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/