Partizani ka arritur që të marrë një fitore të madhe në derbin me Dinamon. Të kuqtë fituan në shifrat 1-2 ndaj ekipit të momentit në Superiore, të drejtuar nga Ilir Daja. Një fitore e madhe e Partizanit që padyshim shijon ndryshe ndaj trajnerit Ilir Daja dhe njëkohësisht për faktin se marrin vendin e parë duke lënë mbrapa Vllazninë. Pas përfundimit të derbit, trajnerët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Super Gol” në “RTSH”.
Veselinoviç (Partizani): “Kemi luajtur ndaj një kundërshtari mjaft cilësor. Dinamo nuk ka humbur që prej dy muajsh. Në ndeshjen e fundit kanë fituar ndaj Elbasanit si në aspektin e rezultatit, ashtu edhe në aspektin e performimit. Nuk është e lehtë të përgatitesh dhe të luash ndaj një kundërshtari të tillë. Sa i përket Partizanit nuk është momenti që ta analizoj unë lojën, ia lë të tjerëve ta bëjnë. Ndeshja më e mirë e jona do të vijë në të ardhmen. Zhvillimi si në aspekt individual, si në aspekt ekipor, është i dukshëm. Por jemi ekip i ri. Ky ekip ka shumë gjëra për të përmirësuar, qoftë edhe gjëra thelbësore. Dua të shpreh mbështetjen për Kombëtaren shqiptare për dy ndeshjet e vështira që ka me Çekinë dhe Ukrainën. Do të jem i pranishëm në stadium dhe do të sjell një energji pozitive”.
Daja (Dinamo): “Edhe kur fiton ke momente pengje e jo më kur humbet një ndeshje. Ishin dy gola identik. Duhet të bllokohej goditja nga lojtarët tanë. Ishte një lojë e hapur. Një derbi i bukur për t’u parë, me raste si nga ne, ashtu edhe nga kundërshtari. Në derbi janë të pranishme të tre rezultatet. Nuk na vjen mirë që e humbëm këtë ndeshje. Ajo që më vjen mirë është që lojtarët nuk u dorëzuan, vazhduan ritmin për 90 minuta. Kur nuk po na leverdiste më ajo që po bënim, u hodhëm në aventurë”./Sport Ekspres/