Egnatia dhe Laçi janë ndalur në një barazim pa gola. Një ndeshje që prodhoi shumë raste, por që në fund nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0. Rastin më të artë e kishte Egnatia. Spahiu gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 64.
Goditja e Spahiut do të kuptohej nga Dajsinani, i cili u kthye në heroin e Laçit. Me një shkëputje disi të madhe dhe një garanci të marrë për faktin se do të jetë pjesë e 4 më të mirave, të paktën teorikisht, Egnatia nuk del dot me tre pikët nga ky takim. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Tetova: “Barazimi ishte rezultat i drejtë. Laci përfitoi nga disa gabimet tona në pjesën e parë, në të dytën ishim më mirë. Nuk jemi të relaksuar nga renditja, sot donim që ta fitonim ndeshjen. Laci ishte për t’u përgëzuar sot pasi nuk la asnjë hapësirë për ne. Nuk kam shumë preferenca për Final Four, nuk duhet të ulim ritmin, kjo është pjesa që na shqetëson më shumë. Nuk është se kam shumë preferencë se kë do të kem kundërshtar. Them një barazim për derbin Dinamo-Partizani që të jetë distanca e njëjtë”.
Josa: “Ndeshja mund të merrte rrjedha të ndryshme. Kishte rastin e penalltisë Egnatia, pastaj kishim edhe ne rastet për të fituar. Unë jam i kënaqur për mënyrën sesi ne luftuam për t’i mbyllur hapësirat Egnatias. Duhej të qetësonim më shumë topin në mesfushë dhe të dilnim më pastër në zonën e Egnatias. Por kur merr barazim ndaj një ekipi si Egnatia, lojtarëve nuk mund t’i thuash gjë. I thashë vetëm që të bëjnë më mirë kur kanë topin në zotërim. Na duhen tre pikët në ndeshjen tjetër. Por ju e dini se unë nuk jam nga ata njerëz që hidhem në aventurë dhe nuk do të hidhem shumë në aventurë”.