“Disa qelbësirave pro serbë nuk i pëlqen ndërthurja Shqipëri-Kosovë”, Kushta: Vdekjen e prisja, por jo të tallësh Klodian Duron

Debati i zjarrtë i Klodian Duros në studion e emisionit “Dueli Sportiv” në “RTV Dukagjini” ka marrë jehonë të madhe në publik. Sokol Kushta ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për mënyrën se si është trajtuar një personalitet si Klodian Duro nga i disa prej anëtarëve të panelit. Legjenda e Flamurtarit është shprehur në studion e “Mega Sport” në “A2 CNN” se nuk e priste një sjellje të tillë, e cila nuk do të kishte ndodhur kurrë në Shqipëri me personalitete të futbollit të shqiptarëve të Kosovës. Ai ka këshilluar edhe Nevil Deden që të mos shqetësohet në kryerjen e detyrës së tij si trajner i Ferizajit, pasi mes shumë dardanëve të mirë, ka edhe elementë pro serbë që nuk e pëlqejnë bashkëveprimin mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

“Unë kam shumë miq në Kosovë, por miq të mirë. Unë e di që ata janë një popull që kanë vuajtur. Kanë dalë nga një regjim dhe sot po lulëzojnë. Unë i kam ndjekur edhe Dajën, edhe Mirelin, edhe ty, edhe Klodian Duron. Ke shkuar si shqiptar i Shqipërisë dhe ata janë shqiptarë të Kosovës. Nuk janë kosovarë, janë shqiptarë edhe ata, dardanë. Më vjen mirë që ti ke përçuar atë frymën tënde, modulin tënd.

Por mos u tut atje, sepse midis shumë kosovarëve të mirë ka edhe qelbësira pro serbë, që nuk i pëlqen shumë kjo ndërthurje e shqiptarëve të Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës. Ata gjithmonë do na kenë inat për këtë ndërthurje pozitive. Siç marrim ne lojtarët e Kosovës, ose të Dardanisë, se unë nuk dua të them kosovarë, të cilët edhën këtu dhe dhanë çdo gjë të mirë. Ashtu edhe trajnerët tanë po japin çdo gjë të mirë. Prandaj, këmbëngul te puna jote. Ata elementë nuk dalin zbuluar. Kur je anti shqiptar, je pro serb.

Kishte shanse të vinte Fadil Vokrri në Shqipëri dhe ta tallte njeri?! Të vinte Agim Cana e shumë lojtarë dhe t’i tallja unë? Nuk kishte shanse. Vdekjen mund t’a prisja, por jo të tallësh Klodian Duron. Është personalitet”, është shprehur Sokol Kushta./Sport Ekspres/