Diskutime për listën e Kombëtares, Shulku: Më shumë se të gjithëve, Cikalleshi i pëlqen trajnerit

Ilir Shulku ishte i ftuar në studion e emisionit “Opinion”. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së ka komentuar zgjedhjet e bëra nga trajneri Silvinjo për listën e Euro 2024-s. Lënia jashtë e Cikalleshit ka hapur diskutim në studio, ndërsa Shulku ka theksuar se sulmuesi kavajas pëlqehet shumë nga trajneri, por ky i fundit i ka të qarta idetë e tij për Europianin që e pret në Gjermani.

“Trajneri në trurin e tij e ka ndarë se si do të luajë në Europian. Mendoj që ky diskutim (lënia jashtë e Cikalleshit) të bëhet pas Europianit. Më shumë nga të gjithëve, Cikalleshi i pëlqen trajnerit. Po e them shumë sinqerisht. Pika tjetër që nuk po e diskutojmë shumë është edhe Myrto Uzuni. Një lojtar që ka dhënë kontributet e tij në ekipin kombëtar. Ka luajtur edhe ai shumë herë në Kombëtare. Gjithashtu edhe Keidi Bare. Lista e trajnerit është 27 vetë, edhe një po të fillojmë të heqim nga një, prapë do të ketë diskutime”, ka thënë Ilir Shulku./Halit Delibashi-Sport Ekspres/