Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Kuqezinjtë mbërritën dje në Riga dhe sot do të zhvillojnë seancën e fundit stërvitore përpara takimit të së martës.
Sakaq, këtë pasdite, trajneri Silvinjo dhe mesfushori Kristjan Asllani dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet kjo ndeshje dhe iu përgjigjën interesit të gazetarëve.
Kristjan Asllani e cilësoi shumë të rëndësishme ndeshjen e së nesërmes ndaj Letonisë dhe theksoi se synimi janë tre pikët për objektiv Botëror.
Përgatitjet për ndeshjen me Letoninë? – Duhet rikarikuar bateritë, sepse vijmë nga një ndeshje shumë pozitive nga aspekti i lojës. Kemi luajtur shumë mirë, na ka munguar vetëm goli. Tani e dimë që kemi një ndeshje të vështirë, por na duhen tre pikët për objektivat dhe ëndrrën tonë.
Si je përgatitur për ndeshjen e nesërme? – Që kur ka ardhur trajneri, mendoj se i kam luajtur të gjitha ndeshjet. Duhet të mendojmë për skuadrën, nesër kemi një ndeshje të vështirë. Kanë një trajner italian, i njoh italianët si punojnë. Do jetë një ndeshje taktike, sepse punojnë me anën taktike. Një ndeshje ku ata do të mbrohen shumë mirë. Nuk mendoj për Kristjan Asllanin, por për skuadrën. Kemi ardhur këtu vetëm për të fituar këtë ndeshje.
Dmitrijs Zelenkovs i Empolit, çfarë kujtimi keni me të? – Dmitrijs Zelenkovs e mbaj mend shumë mirë, sepse kemi kaluar dy vite bashkë te Empoli. Është futbollist shumë i mirë teknikisht dhe nesër do të shihemi pas 3-4 viteve. Jam i lumtur që do ta shoh prapë. Besoj do të ndërrojmë bluzat, do t’ia kërkoj unë. Shpresoj që të fitojmë.