Tirana ndodhet në një nga momentet më të vështira të historisë së saj. Ka ndodhur para pak vitesh që bardheblutë të rrëzohen në Kategorinë e Parë apo të kalojnë momente të vështira, por asnjëherë si tani që të jenë të dorëzuar tërësisht duke mbajtur vendin e fundit në muajin dhjetor. Tirana ndodhet në vendin e fundit me 10 pikë, Flamurtari vjen para tyre me 14 pikë dhe Bylisi gjendet në vendin e 8 me 18 pikë. Pra diferenca me vendin që të dërgon të paktën në Play Out, në vendin që Tirana ishte vjet dhe shpëtoi në ndeshjen me Pogradecin, është 8 pikë.
Por të paktën janari duket se i buzëqesh paksa Tiranës. Fati i gjithë sezonit për bardheblutë do të vendoset pikërisht në janar. Nëse do ta nisin mbarë këtë vit 2026 dhe me një fytyrë tjetër, shanset janë aty. Kalendari është paksa i butë për bardheblutë që do t’i luajnë të gjitha takimet përballë rivalëve direkt dhe jo atyre që luftojnë për titullin kampion. Ndeshja e parë në kampionat do të jetë ajo kundër Bylisit, ku në rast fitore do ta ngushtëonin diferencën në 5 pikë. Më pas ndeshja tjetër e Tiranës do të jetë ndaj Vorës së vendit të 7 përpara se të presin në shtëpi Flamurtarin. Një mundësi ideale për kryeqytetasit për të shpëtuar çfarë të munden në këtë sezon, por në rast të tre humbjeve, mund të quhet përfundimisht e mbyllur historia e tyre në Superiore për sezonin e ardhshëm. /Sport Ekspres/