“Do ta mbaj mend si profesorin dhe mikun tim të mirë”, Demi dedikim të veçantë për Fatos Nanon: Do të kujtohet me respekt të madh nga shqiptarët

Klubi Partizani ka reaguar për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos. Me anë të një postimi në “Facebook”,  klubi kryeqytetas dhe presidenti i tyre, Gazment Demi, shprehin ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit të Shqipërisë. Demi është shprehur se ndihet krenar që ka njohur Fatos Nanon në jetën e tij, ndërsa shton se shqiptarët do ta mbajnë mend si njeriun që i dha vlera të vërteta demokracisë.

“Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Fatos Nanos, ish-Kryeministër i Shqipërisë, intelektual i shquar, profesor dhe një tifoz i klubit Partizani.

Presidenti Gazment Demi, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Nano, duke evidentuar një dedikim special: – Fatos Nanon do ta mbaj mend si profesorin dhe mikun tim të mirë, qysh në Fakultetin e Ekonomisë, ashtu edhe vitet e para të demokracisë. Profesori do të mbahet mend si njeriu që i dha vlerat e vërteta demokracisë dhe u tërhoq në moshën më vitale, duke i lënë stafetën më të rinjve, për të dhënë një shembull unik në jetën publike dhe politike të vendit tonë.

Jam krenar që i kam shërbyer qoftë edhe për një periudhë të shkurtër kohore profesorit dhe mikut tim të mirë. Nga shqiptarët ai do të kujtohet me respekt të madh si një burrë shteti dhe një politikan brilant, duke treguar tolerancë e maturi, ndërkohë që unë do e kujtoj gjithnjë si Profesorin tim të veçantë, një mik të rrallë, të mençur dhe të ndershëm që kam patur nderin ti qëndroj afër si në ditët e mira, ashtu edhe në momentet më të vështira.

Lamtumirë miku im i mirë! U prehsh në paqe Profesor! Me mirënjohjen dhe respektin e përjetshëm të familjes Demi dhe klubit të kuq…”, ka komunikuar klubi Partizani./Sport Ekspres/