Do të ishte transferimi ideal, Arbër Hoxha mund të kalojë në Championship në Angli 

Arbër Hoxha pritet që të largohet në këtë verë nga Dinamo Zagreb. Minutat e pakta në këtë ekip ndikuan qartë edhe në performancat jo të mira të Arbër Hoxhës në Kombëtare në dy ndeshjet e qershorit. Megjithatë aftësia është aty dhe Arbër Hoxha ka një shans të artë në dorë për ta testuar veten në një nivel tjetër. Sipas mediave kroate, Hull City kërkon që transferojë Arbër Hoxhën në merkaton e verës. 

Hull City është një ekip në Angli, pjesë e Championship, niveli i dytë më i lartë i futbollit në Angli pas Premier League. Por përse një ofertë e tillë për Arbër Hoxhën? Trajneri i ri i Hull City është Sergej Jakirovic, i cili e ka pasur Hoxhën si lojtar te Dinamo Zagreb dhe prandaj e kërkon që ta marrë shqiptarin në Angli. Kjo eksperiencë do të ishte sfiduese dhe idealja për Arbër Hoxhën për të parë limitet e vetes dhe se deri ku mund të shkojë, ndryshe nga ofertat e tjera që janë në Turqi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/