Marko Silva ka folur sot përpara mediave në konferencën e zakonshme për shtyp në prag të sfidës kundër Totenhemit. Trajneri i Fulhemit ka komentuar formën e jashtëzakonshme të Munizit, i cili ia ka dalë të lërë në stol Armando Brojën falë paraqitjes së tij. Silva ka vlerësuar së tepërmi formën e Munizit, por shton se do të jetë një garë e fortë mes tij, Brojës dhe Raul Himenezit. Një garë që, siç thotë ai, do të jetë e bukur për t’u parë deri në fund të sezonit.
“Goli i tij kundër Bërnleit në transfertë ishte goli i parë për të në Ligën Premier. Ishte thelbësor për mendimin tim. Më pas ishte momenti kur firmosëm me një sulmues shumë të mirë nga Çelsi, me Armandon (Brojën), por ai shënoi. Në ndeshjen pasardhëse shënoi dy herë dhe që nga ai moment është duke fluturuar. Jo vetëm sepse po shënon gol në 5 apo 6 ndeshjet e fundit, por për mënyrën se si ka luajtur dhe se si ka qenë vendimtar për ne.
Ka qenë shumë i vështirë për t’u kontrolluar nga kundërshtarët. Tani goli po vjen në shumë mënyra nga ai. Të gjithë besojnë te ai dhe kjo është ndjesia më e mirë për një sulmues. Kur e ndjen që shokët e skuadrës besojnë te ty.
Unë nuk jam i befasuar, sepse që nga dita e parë isha përgjegjës që ai të vinte këtu. Jam shumë i kënaqur për të. Ka një garë të madhe mes të treve, atij, Armandos dhe Raulit. Do të jetë shumë e bukur për t’i parë deri në fund të sezonit”, ka deklaruar Marko Silva./Halit Delibashi-Sport Ekspres/