“Do të jetë kusht për çdo trajner”, Xhixho tregon vendimin: 30-40% e listës do të jetë nga kampionati shqiptar

Lista e Kombëtates U17 për Kampionatin Europian që u zhvillua në vendin tonë hapi debate të shumta. Shkak u bë fakti se në lojtarët e grumbulluar nuk gjendej asnjë që luante në kampionatin vendas. Pano Xhixho ka zbuluar në studion e emisionit “Skaner” në “MCN TV” se në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së është diskutuar vendosja e një kushti për trajnerët e ekipeve të moshave. Bëhet fjalë për përfshirjen në listat e ekipeve kombëtare të lojtarëve nga kampionati shqiptar në masën 30-40%.

“Po ju jap një lajm. Në mbledhjen e fundit të Komitetit (Ekzekutiv), duke u nisur nga lista e ekipit kombër U17, është hapur një diskutim për listat e ekipeve kombëtare. Vetë presidenti Duka e pashë që ishte duke folur me drejtorin teknik të ekipeve kombëtare, që për çdo trajner të ekipeve të moshave, por pa përjashtuar edhe ekipin A, do të vihet një kusht që të ketë 30-40% të lojtarëve që luajnë në kampionatin tonë”, ka thënë Pano Xhixho./Sport Ekspres/