Thomas Strakosha po bëhet gati për të marrë një tjetër aventurë në karrierën e tij, pasi gjërat nuk i shkuan aspak sipas planeve. Pas disa sezonesh të kaluara te Lacio me ulje-ngritjet e tij në performanca, portieri shqiptar realizoi një ëndërr të fëmijërisë: “Premier League”.
Vetë lojtari u shpreh se gjithmonë kishte ëndërruar të luante në Premier League pasi për të është futbolli më i fortë në botë. Megjithatë kjo ëndërr nuk u realizua e gjitha pasi Strakosha i pa të gjitha ndeshjet nga stoli te Brentfordi dhe jo si protagonist.
Në këtë moment, Strakosha ka të tjera mendime: “Dua të shkoj në një ekip që të ndihem i rëndësishëm dhe të besojnë te mua”. Sipas mediave greke, është AEK që ka mbyllur marrëveshjen për transferimin e Strakoshës dhe zyrtarizimi do të vijë në ditët në vijim. Madje kjo skuadër ka marrë edhe portierin që dikur i shënoi Milanit me fanellën e Beneventos, Alesio Brignoli. Megjithatë drejtuesit e ekipit grek i kanë premtuar Strakoshës se ai do të jetë zgjedhje e parë dhe Brignoli do të jetë zgjedhje e dytë. /Sport Ekspres/