Kylian Mbappe ka mbajtur një konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Portugalisë në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Ai këmbënguli se Cristiano Ronaldo ishte gjithmonë referenca e tij, por para së gjithash mbrojti me vendosmëri shokun e tij nga kombëtarja Antoine Griezmann, megjithëse pranoi se sulmuesi i Atletico Madrid nuk po kalon kohët më të mira. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare të së dielës së ardhshme, Mbappé ishte edhe më i vendosur se në paraqitjen e tij të parë në Euro.
“Më shumë se kurrë duhet të shkojmë në zgjedhje, nuk mund ta lëmë vendin në duart e këtyre njerëzve. Rezultati i së dielës ishte katastrofik dhe shpresojmë që njerëzit të votojnë për anën e duhur”.
Kjo nuk është hera e parë që sulmuesi i ri i Real Madrid flet për zgjedhjet, pasi së fundmi ka bërë edhe një deklaratë për këtë temë. Në mes të qershorit, ai u bëri thirrje francezëve “të mos votojnë për të djathtën ekstreme”.
“Sot e shohim të gjithë se ekstremistët janë shumë pranë fitimit të pushtetit dhe ne kemi mundësinë të zgjedhim të ardhmen e vendit tonë”, tha Mbappe. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/