“Do t’i rrahim brenda dhe jashtë fushe”! Rafinjës i duhet të kapërdijë fjalët, lojtarët e Argjentinës e vunë në lojë pasi i shënuan 3 gola

Ndeshja Argjentinë-Brazil nuk i zhgënjeu aspak tifozët. Bardheblutë triumfuan me rezultatin 4-1, duke i shënuar numrin më të madh të golave Brazilit në një kualifikuese për Kupën e Botës. Futbollistët argjentinas treguan një uri për fitore, çka erdhi edhe si pasojë e deklaratës së Rafinjës përpara sfidës.

“Do t’a rrahim Argjentinën pa asnjë dyshim. Brenda edhe jashtë fushe nëse e do nevoja”, ishin fjalët e thëna nga sulmuesi i Barcelonës. Por Rafinjës i është dashur të kapërdijë fjalët e tij. Pas 45 minutave të para shifrat shënonin 3-1 dhe argjentinasit nuk ngurruan ta vinin në lojë brazilianin. Dibu Martinezi dhe më pas lojtarët e tjera ngacmuan edhe fizikisht Rafinjën, i cili fillimisht ruajti qetësinë, por më pas kërkoi të përplasej me futbollistët kundërshtarë./Sport Ekspres/