“Do t’i them të gjithëve që pata shansin të luaj këtu, zgjodha ta doja PSG-në”, Mbapeja i jep lamtumirën tifozëve: Njoha kampionët e mëdhenj të historisë, u rrita me lavdinë dhe gabimet e mia

Kilian Mbape ka zyrtarizuar largimin nga PSG-ja në fund të këtij sezoni. Vetë sulmuesi francez i është drejtuar tifozëve të klubit parisien përmes një video-mesazhi. Ai u ka komunikuar mbështetësve të PSG-së se të dielën do të luajë ndeshjen e fundit në “Parkun e Princave”. Mbapeja ka falenderuar të gjithë punonjësit e klubit dhe bashkëlojtarët me të cilët ka luajtur te PSG-ja, ndërsa thekson se ndjen krenari që ka qenë pjesë e një klubi kaq prestigjoz.

“Përshëndetje të gjithëve! Ju flet Kiliani. Doja të flisja me ju. Kam thënë gjithmonë se do të flisja me ju kur të vinte koha dhe doja t’ju njoftoja se është viti im i fundit te PSG-ja. Nuk do ta zgjas kontratën dhe aventurës do t’i vijë fundi në pak javë. Do të luaj ndeshjen e fundit në “Parkun e Princave” të dielën. Kam ndjerë shumë emocione, për shumë vite pata mundësinë dhe nderin e madh që të isha një anëtar i një nga klubeve më të mëdha në Francë dhe një nga më të mirëve në botë, çka më lejoi të arrija këtu, të kisha përvojën time të parë në një klub me shumë presion, të rritesha si lojtar duke qenë përkrahë disa prej më të mirëve të historisë, disa prej kampionëve më të mirë, të takoja shumë njerëz, të rritesha si njeri me të gjithë lavdinë dhe gabimet që kam bërë.

Pikë së pari, dua të falenderoj shokët e skuadrës, të gjithë shokët e skuadrës që kam pasur, të gjithë trajnerët: Unai Emerinë, Tomas Tuhelin, Mauricio Poçetinon, Kristof Galtierin dhe Luis Enriken; drejtorët sportivë: Leonardon dhe Luis Kamposin që më kanë shoqëruar gjithmonë. Të gjithë anëtarët e klubit, ata që nuk i sheh askush, njerëzit në hije, Të gjithë këta njerëz të jashtëzakonshëm që japin gjithçka për klubin dhe që meritojnë të njihen.

Pavarësisht gjithçkaje që mund të ndodhë jashtë, gjithë ky publiciteti i ekzagjeruar mediatik që rrethon ndonjëherë klubin, ka disa të dashuruar të vërtetë me klubin që duan ta mbrojnë dhe ta bëjnë të shkëlqejë dhe e di që me këta njerëz klubi është në duar të sigurta. Është e vështirë. Kurrë nuk e mendoja se do të ishte kaq e vështirë të njoftoja se do të lija vendin tim, Francën, Ligën 1, një kampionat që e kam njohur gjithnjë. Por mendoj se kisha nevojë për një sfidë të re pas 7 viteve. Ka disa njerëz dua t’i falenderoj mbi të tjerët, tifozët.

E di që nuk jam lojtari më demonstrativ. Kurrë nuk doja të bëja me hile, gjithmonë kam dashur të isha efektiv. PSG-ja është një klub që nuk lë asnjë indiferent. Mund ta duam ose ta urrejmë. Unë zgjodha ta doja dhe e bërë për 7 vite, me uljet dhe ngritjet… Nuk pendohem në asnjë moment, që firmosa për këtë klub prestigjoz. Është një klub që do ta mbaj në kujtesë gjatë gjithë jetës sime. Do t’i them kujtdo, gjithë jetën time, që pata shansin të luaja këtu. Nuk do të jem më një lojtar (i PSG-së), por sigurisht që do të vazhdoj të shoh çdo ndeshje, sepse është një klub për të cilin do të jem gjithmonë i interesuar dhe do t’i ndjek nga afër lajmet.

Isha unë, që me cilësitë dhe të metat e mia, u përpoqa të jepja versionin tim më të mirë gjatë këtyre 7 viteve. Por para së gjithash dua t’ju falenderoj ju, sepse pa të gjithë ju unë nuk do të kisha përjetuar kurrë as gjysmën e emocioneve që kam ndjerë. Vetëm për këtë ju jam mirënjohës përjetë. Faleminderit të gjithëve. Shpresoj që ta mbyllim vitin me një trofe të fundit. Do të kemi momente të mira për atë çfarë ka mbetur dhe besoj se do të mbeteni në zemrën time përgjithmonë. Ky është Parisi. Lamtumirë”, ka qenë mesazhi i Kilian Mbapesë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/