Flogert Picalli ishte fjala e parë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. Në një stadium të vakët dhe pa shumë zëra të tifozëve serb, ku pritshmëria e një përsëritje Beogradi ishte ende e lartë, Picalli ishte prova e parë dhe e fundit se marrëdhëniet tona mbeten ende të ndezura. Kameramani Picalli ishte në krye të detyrës duke parë ndeshjen dhe në fund të saj, hoqi xhaketën për të bërë një fotografi me bluzen e Jasir Asanit. Kaq mjaftoi që situata të tensionohej dhe përplasja të fillonte, me gjithcka që u dëgjua edhe në transmetim. Në një intervistë për “Mega Sport” që transmetohet në “A2 Cnn”, Picalli ka zbuluar gjithcka:
“Ishte një adrenalinë e madhe. Po shikoja ndeshjen te zona e gazetarëve. I ra bilbilit arbitri, mua më kapi adrenalina. Unë kisha marrë bluzen e Jasir Asanit që ma ka dhuruar veë Jasiri kur luajtëm në Europian. E kisha veshur poshtë atë bluzen dhe bëra një foto aty sepse nuk vjen një moment i dytë në jetë në Serbi.
Pasi bëra foton unë, më erdhi dikush që fliste serbisht. Donte të më griste bluzen, e tërhoqi bluzen dhe donte ta griste. Unë mendova se ishte polic, por unë e mbajta bluzen. Më pas erdhi policia dhe më rrethoi, por nga një anë më mori që ndodhi sepse më erdhën shumë njerëz, tifozë të Serbisë. Kam ndenjur në polici gati dy orë, më thonin se kam bërë gjeste me grusht dhe me UCK. Nuk e prisja se do të shkonte puna deri këtu. Më mërzitën sepse nuk e bëra punën sic duhet, hyra vonë në transmetim”, tha Picalli. /Sport Ekspres/