Drejtori i akademisë së Teutës është një nivel tjetër për Shqipërinë, vizioni që na kujton shkollën e futbollit të Ajaksit

Drejtori i akademisë së Teutës është një nivel tjetër për Shqipërinë, vizioni që na kujton shkollën e futbollit të Ajaksit

Nëse do ta bësh një punë, bëje me gjithë pasionin tënd ose në të kundërt, lëre… Ky është motivi i pak njerëzve në Shqipëri, por që nuk do të thotë se nuk ekzistojnë. Përkundrazi, ekzistojnë, pavarësisht se Shqipëria ka nevojë për akoma më shumë njerëz të tillë, të cilët kanë si prioritet të parë pasionin dhe dashurinë e dhënë për punën e tyre, përpara çdo vlere monetare.

Në një shoqëri që gjithmonë e më shumë po shkon në anën e kundërt, në një shoqëri që gjithmonë e më shumë po përçmon profesorin dhe mjekun, për të ngritur figurat jo fort të bukura, kemi më shumë nevojë për njerëz që siç dikur thoshte edhe Nënë Tereza: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Një rast që mbart të gjitha vlerat e kësaj shprehje është edhe ai i Adrian Dedjas, drejtorit të akademisë së Teutës. Kur flasim për drejtor akademish, ndoshta shumëkush mund të aludojë për një vend pune normal në dukje, por që të jep mundësi për të fituar jo pak të ardhura, me shumë mundësi aneksimesh.

Por Adrian Dedja nuk kërkon të ndjek modelin më të preferuar të shqiptarëve, puno pak për të fituar shumë. Dedja e ka parë këtë pozicion si një përgjegjësi të madhe për të ndërtuar jo vetëm një strukturë të mirë për Durrësin dhe klubin Teuta, por për të hedhur bazën e një modeli që mund të ndiqet në të ardhmen në gjithë Shqipërinë.
Pikësëpari, përpara se të investojë dashurinë në të, Dedja ka investuar jo pak kohë nga jeta e tij për të marrë dijet e duhura. Flasim për një njeri i cili ka licencën UEFA A, UEFA B dhe që ka mundësinë tanimë të punojë jo vetëm në Superiore, por edhe në Europë. Gjithashtu ai po vazhdon në doktoraturë ku kërkon të marrë titullin “Doktor Shkencash”.

Por çfarë mund të bëjë një “Doktor Shkencash” në futboll? Titullin ende nuk e ka marrë, por të gjitha dijet janë aty dhe ka shumë prova që e vërtetojnë këtë. Qëllimi i tij nuk është vetëm që klubi i Teutës të përfitojë sa më shumë të ardhura, por pikësëpari të lehtësojë shpenzimet e qytetarëve të Durrësit që të mos paguajnë shumë para ose për të thënë më mirë asgjë, që të mos privojë ëndrrën e fëmijëve të tyre për t’u bërë futbollist.

Pra në bazë të këtij modeli do të shkojnë në zerim rastet kur thuhet: “Nuk ia dolëm dot sepse nuk kishim mundësi të ndiqnim djalin”. Pra Dedja ka krijuar një vizion të largët, një vizion që nuk i shërben “zhvatjes momentale” të parave që mund të paguhen në akademi, por një vizion që i afron këta fëmijë dhe i heq të gjithë barrën financiare familjes dhe që pas disa vitesh, Teuta do të përfitojë nga këta djemë shifra të majme. Talenti kërkohet, nuk ka të paguar!

Kjo është si të thuash një rast: “Fitore-Fitore” nga të dy palët. Sigurisht, e lehtë ta thuash kështu, por edhe ky është një investim i rrezikshëm dhe jo më kot është vetëm Teuta që e ndjek dhe e krijon këtë model. Në Shqipëri bëri bujë lajmi disa kohë më parë që U-18 dhe U-19 e Teutës nuk do të paguanin tarifa mujore, baza materiale është e siguruar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe nuk mungojnë as dietat e vendosura nga Teuta, pra për fjetjet në një qytet tjetër apo për një darkë a drekë të konsumuar.


Ky është një projekt pilot që është zbatuar për momentin në këto dy grupmosha, për të parë fillimisht sesi do të shkojë historia e shpenzimeve. Nëse gjëra shkojnë ashtu siç duhet, Dedja do ta shtrijë këtë ndihmë të madhe edhe për grupmoshat e tjera të vogla të Teutës.

Sepse futbolli i moshave për të është si lajm motivi që ka vendosur në fushën e futbollit: “Edukimi vlen më shumë se fitorja”. Një perlë, një kryevepër! Për këdo që merret me fëmijët dhe është trajner në moshat e vogla, e dinë sesa e vështirë është që të merresh me prindërit e fëmijëve në përgjithësi në Shqipëri.
Të gjithë duan që djali i tyre të jetë Cristiano Ronaldo, të jetë Lionel Messi, askush prej tyre nuk kërkon që djali i tyre të jetë një lojtar normal në botën e futbollit, për të mos thënë për vizionin e krijuar nga Dedja.

Sipas tij, nuk është e rëndësishme që fëmija që do të vijë të stërvitet të dalë me patjetër një futbollist. Më e rëndësishmja është fakti që ai do të jetë i stërvitur, t’i largohet veseve dhe mbi të gjitha të mësohet me jetën kolektive, të grupit. Prandaj edukimi vlen më shumë se fitorja, të ndërtojmë një brez më të mirë për të ardhmen vlen më shumë sesa disa rezultate të mira në Superiore apo në Europë. Futbolli është i rëndësishëm, por të ndërtosh njerëz më të mirë, një shoqëri më të mirë është qëllimi parësor.

Një tjetër risi e akademisë Teuta është fakti se aty stërviten 700 fëmijë dhe të rinj, në të gjitha grupmoshat. Masiviteti në këtë rast rrit më shumë përqindjen për të nxjerrë futbollistë më të suksesshëm për të ardhmen dhe ashtu ka ndodhur, teksa hera herës disa lojtarë të rinj i janë bashkuar edhe ekipit të parë. Një risi për faktin se asnjë akademi tjetër në Shqipëri nuk ka një numër kaq të lartë fëmijësh dhe mbi të gjitha qëllimi është që në të ardhmen të jenë 1000 fëmijë që të stërviten me grupmoshat e Teutës.

Me pak fjalë, të ndërtohet një shkollë futbolli e mirfilltë siç shpesh i shohim te Ajaksi apo gjetkë. Më mirë sesa të binjakëzojmë Ajaksin me Teutën dhe ta bëjmë këtë për hir të reklamës pa sens, është pjesa kur t’i ndërton një shkollë tënden që të përfitojnë sa më shumë familje shqiptare dhe në të ardhmen të konkurrohet denjësisht me ekipet e njohura në Europë.

Presidenca Troplini i ka hyrë seriozisht këtë projekti duke mos ngurruar që të shpenzojë sa kërkohet për të marrë suksesin. Por jo një sukses siç jemi mësuar që kërkohet “sot për nesër”, por një sukses që do të kërkojë pak kohë për të ardhur dhe që do të vazhdojë për shumë breza me rradhë.
Dhe për të vazhduar idenë, akoma më e bukur është ideja e video-analizave të strukturuara për të gjitha kategoritë e moshave. Pra të gjitha video-analizat që ne shpesh i shohim te Kombëtarja me Silvinjon apo te ekipet e Superiores, nuk do të mungojnë për të gjitha grupmoshat e Teutës.

Që në një moshë fare të vogël, lojtarët do të mësohen që të shohin gabimet e tyre dhe t’i korrigjojnë ato në të ardhmen. Qëllimi është i tillë, jo për t’i qortuar dhe për t’i bërë të ndihen në faj, por për t’u përgatitur që në moshë të vogël për mënyrën sesi luhet në futbollin e vërtet profesionist që kur të jenë gati, të mos hasin probleme as në ekipin e parë.

Kështu funksionon edhe në botën e futbollit dhe jo më kot kemi raste lojtarësh 16-vjeçarë që shkëlqejnë në ekipet e para. Kjo është duke u bërë aktualisht edhe te Teuta, që futbollistët të rrisin performancën e tyre dhe të mos e kenë futbollin thjesht si një lojë argëtuese, por ta kuptojnë që pikësëpari është “puna” e së ardhmes së tyre ku duhet të angazhohen me gjithçka nga vetja, të studiojnë dhe të mësojnë, për të marrë më pas sa më shumë duartrokitjet nga shkallët e stadiumit. E gjatë gjithë kohës punohet me trajnerët e të gjitha grupmoshave, për të ndjekur të njëjtën linjë dhe vijë logjike në punim, në mënyrë që kur lojtarët të ngrihen në grupmosha dhe të shkojnë drejt ekipit të parë, të mos kenë asnjë problem me ambientimin dhe ta kenë më të lehtë shpërthimin e menjëhershëm pasi janë mësuar me të njëjtën metodologji pune.

Dhe në krye të gjithë këtij projekti, qëndron në prapavijë me përgjegjësinë e madhe që nuk duhet të gabojë në asnjë moment, Adrian Dedja. Njeriu i cili qartazi me vizionin e tij europian tregon se është personi i cili nuk preferon “ashensorin” për ngjitjen, por shkallët. Janë paksa më të lodhshme dhe kërkojnë më shumë kohë për të arritur në destinacionin final, por janë më të sigurtat. Dhe në një vend që shumëkush kërkon të bëjë zhurmë pa bërë asgjë, rasti i Adrian Dedjas është i atij njeriu që suksesi do të fillojë t’i ulëras… /Sport Ekspres/