Drita eleminohet nga Champions-i, rrezik për derbin shqiptar në Europë

Rrugëtimi i Dritës në Ligën e Kampionëve ka përfunduar mbrëmjen e sotme. Skuadra nga Gjilani është mposhtur nga Kopenhageni me rezultatin minimal 0-1. Ndeshja e luajtur në “Fadil Vokrri” u ndikua edhe nga dalja e shpejtë nga loja e Balajt, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 27. Ndërkohë, në krahun tjetër Korneliusi shënoi golin e vetëm të këtij takimi në minutën e 41-të. Me rezultatin e përgjithshëm 3-0 Kopenhageni ka siguruar kalimin në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ndërkaq, Drita do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Europës. E gjithë vëmendja e kampiones së Kosovës tashmë do të jetë te Shkëndija. Kuqezinjtë e Tetovës do të luajnë nesër në mbrëmje kundër Steauas së Bukureshtit, të cilën e mposhti në shtëpi me shifrat minimale 1-0. Në rast fitoreje ose barazimi Shkëndija do të kualifikohej në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve, por në rast eleminimi do të përballej me Dritën në Ligën e Europës./Sport Ekspres/