Kristjan Shpendi po shfaq vazhdueshmëri me fanellën e Çezenës. Edhe në këtë sezon të ri sulmuesi shqiptar nuk e ka humbur nuhatjen e tij për golin. Mbrëmjen e djeshme ai shënoi golin e 5-të në Serinë B, ku gjithashtu numëron edhe 2 asiste. Në një intervistë për “TMW” në “Gran Gala del Calcio”. Shpendi ka dhënë përshtypjet e tij për këtë sezon të ri, si dhe ka kthyer edhe një përgjigje për zërat e merkatos për një transferim të mundshëm te Fiorentina.
“Ka qenë një sezon i shkëlqyer për ne te Çezena. Ishim një ekip i sapongjitur, por patëm një sezon të shkëlqyer. E nisëm mirë këtë vit përsëri. Dje shënuam një fitore të madhe para tifozëve tanë. Gjithçka po shkon mirë, shpresojmë të vazhdojmë kështu.
Objektivi ynë kryesor, natyrisht, është të qëndrojmë në Serinë B, pastaj do të shohim se çfarë mund të arrijmë.
Zërat për interesimin e Fiorentinës? Nuk e di nëse ka pasur ndonjë gjë. Nuk e kam diskutuar kurrë çështjen me agjentin tim dhe gjithmonë kam qenë i përqendruar te Çezena. Sigurisht, disa thashetheme janë të mira. Dua të ndihmoj Çezenën dhe të shënoj sa më shumë gola të jetë e mundur”, është shprehur Kristian Shpendi./Sport Ekspres/