“Duam Champions-in dhe La Ligën”, Ançeloti nuk fshihet: Kartoni i kuq për Mbapenë ishte i pastër, na kërkoi falje

Reali i Madridit ka marrë një fitore minimale 0-1 kundër Alavesit. Kilian Mbapeja e ndërlikoi këtë përballje të lehtë në letër. Sulmuesi francez kreu një ndërhyrje mjaft të rëndë në minutën e 40, duke e lënë ekipin me 10 lojtarë.

Djali i Karlo Ançelotit, i cili drejtoi skuadrën si pasojë e pezullimit të babait të tij, deklaroi se kartoni i kuq për Mbapenë ishte tërësisht i merituar. Më tej ai shtoi se francezi ka kërkuar falje për veprimin e tij. Ndërkoë, Davide Ançeloti ka shprehur hapur ambicien e madrilenëve për të fituar titullin kampion në Spanjë dhe Ligën e Kampionëve, por është i vetëdijshëm se për një sukses të tillë nuk mjaftojnë vetëm cilësitë individuale të lojtarëve.

“Kjo fitore na ka dhënë besim për të mërkurën. Do të luftojmë për La Ligën dhe gjithashtu edhe për Ligën e Kampionëe. E dimë që duhet ta meritojmë t’i fitojmë dhe vetëm cilësua jonë nuk mjafton. Kilian Mbapeja? Ishte një karton i kuq i pastër. Ai kërkoi falje. Nuk është një djalë i dhunshëm. E ka kuptuar atë që ka bërë. Të gjithë faullet që ka pësuar bënë që të reagonte në atë mënyrë”, ka deklaruar Davide Ançeloti./Sport Ekspres/