“Duam t’i japim një Botëror Shqipërisë”, Hysaj: Më mungon vetëm Botërori për të arritur gjithçka me Kombëtaren

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur grumbullimin për ndeshjet “play off” të Kampionatit Botëror. Elseid Hysaj dhe Qazim Laçi janë paraqitur në konferencë për shtyp përpara gazetarëve për të folur rreth sfidës së 26 marsit, asaj kundër Polonisë. Hysaj ka deklaruar se Botërori është e vetmja gjë që i mungon nga arritja e gjithçkaje në karrierën e tij me Kombëtaren. Mbrojtësi i krahut të djathtë ka theksuar se lojtarët janë të vetëdijshëm që kjo është mundësia e vetme për të shkuar në Kupën e Botës dhe nuk duhet humbur.

“Është e vërtetë që nuk kam pasur minutazh. Kur vjen në Kombëtare është një ndjesi tjetër. Sa herë kam ardhur në Kombëtare kam dhënë maksimumin dhe do jap maksimumin. Nëse unë do të kem 60 minuta, atëherë do të bëj 60 minuta mirë dhe pastaj do të dal. Do t’ja lëshoj vendin dikujt tjetër. Këtu jemi të gjithë për të ndihmuar Kombëtaren.

Polonia është një Kombëtare e fortë, por ne kemi vetëm këtë mundësi të vetme. E dimë që kjo është mundësia e vetme për ne për të shkuar në Botëror dhe besoj që jemi të gjithë gati për këtë ndeshje. Është akti final. Është ndeshje teke, nuk ka asgjë tjetër. Jemi pa fat, sepse herët e tjera ka kaluar skuadra e parë dhe e dytë, por tani e kemi në dorë ne që të tregojmë që ia vlejmë. E kemi treguar që duam t’ja nxjerrim një Botëror Shqipërisë, sepse e meriton Shqipëria një Botëror të bukur.

Kjo është një ëndërr që e kam që i vogël. Tani edhe më shumë, sepse kur bën 2 Europiane, të mungon një kapitull i jetës dhe karrierës së futbollit, Botërori. Është e vetmja gjë që më mungon për të arritur gjithçka në Kombëtare. Ëndrrat ndonjëherë dalin, ndonjëherë nuk dalin. Por duhet të besosh që të realizohen. Unë kam besim të madh, si të gjithë çunat këtu. Kemi vetëm një derë nga ku mund të kalojmë. Nëse nuk kalojmë nga ajo derë, do të kthehemi mbrapa dhe do të qajmë”, ka thënë Elseid Hysaj./Sport Ekspres/