Ekipi i Vllaznisë duket se ka një mosmarrëveshje të qartë me Bashkinë Shkodër. Një çështje ku është padyshim klubi i Vllaznisë që ka të drejtë në të, pasi kërkesa e bërë nga Bashkia është anormale. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga rinisja e aktivitete sportive dhe ndeshjeve të Europës, atyre ndeshjeve të cilat mund të nxjerrin investimin e një sezoni, Bashkia Shkodër mendon për të organizuar aktivitete të ndryshme jo sportive dhe që në Loro Borici të luhet kënga e Bujar Qamilit dhe jo ajo e Europës.
Kjo pasi përdorimi i Loro Boricit për aktivitete të tilla do të rëndonte shumë gjendjen e fushës dhe më pas Vllaznia do të ishte e detyruar që të mos luante në shtëpinë e saj kundër kundërshtarëve që do të pres në Conference League. Së fundmi klubi shkodran ka reaguar me nje letër të FSHF që i drejtohej Bashkisë Shkodër, atje ku i kujtonte kryetarit të saj që edhe në saj të Europianit të U-21 që do të zhvillohet, ky stadium duhet të jetë në kushte optimale dhe të përdoret vetëm për futboll, të mos ketë asnjë devijim të funksionit të tij kryesor pasi ky stadium do të përdoret edhe në Europianin e U-21.
“Në lidhje me polemikat e krijuara së fundi për stadiumin “Loro Boriçi” dhe funksionin që ai duhet të luajë, për transparencë dhe informim të opinionit sportiv, po publikojmë shkresën zyrtare që FSHF i adresoi pak muaj më parë Bashkisë Shkodër duke i kujtuar se nuk mund të ketë devijime nga projekti sportiv i destinacionit të këtij impianti”, shkruhet nga ekipi i Vllaznisë që ka publikuar edhe letrën e FSHF drejtuar Bashkisë Shkodër. /Sport Ekspres/