Situata në botë nuk është aspak e qetë për shkak të politikanëve dhe mënyrës sesi ata po i qasen gjërave, duke krijuar rregjime në vendet përkatëse dhe duke shtuar zërat gjithmonë e më shumë për konflikte. Në këtë mënyrë është përdorur gjatë gjithë kohës një prej tenistëve më të mirë në botë dhe që do të mbahet mend në këtë sport, serbi, Novak Djokovic.
Ky i fundit ka dhënë shumë mesazhe kundër Kosovës dhe shqiptarëve në turnetë e zhvilluara me porosi dhe ndikim të madh nga Aleksandër Vucic. E pamundur që të dalësh nga ndikimi i një njeriu të tillë, pavarësisht shkallës se ku ke mbërritur dhe pavarësisht gjithë sukseve të arritura. Për shumëkënd edhe nga mediat më të njohura europiane, thuhet se Djokovic nuk do të arrijë dot figurat si Fedrerer dhe Nadal vetëm për shkakun e mesazheve politike që jepte herë pas here të serviruara nga Aleksandër Vucic.
Dhe kjo nuk është një fantazi, u vërtetua më së miri së fundmi. Novak Djokovic ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve të cilët janë kundër Aleksandër Vucic. Kjo e ka mërzitur shumë presidentin e Serbisë i cili ka vendosur të hakmerrehet në mënyrën e tij. Pasi ka në kontroll të gjitha mediat në Serbi, ai ka kërkuar mediave që të mos publikojnë më asnjë lajm rreth Novak Djokovic dhe sukseseve të tij të arritura në garat ndërkombëtare. Madje jo vetëm kaq, thuhet se Vucic ka punësuar një grup njerëzish për të publikuar disa lajme kundër Novak Djokovic në mënyrë që njerëzit në Serbi t’i kthejnë shpinën përfundimisht këtij tenisti.
Nga e gjitha kjo situatë e tensionuar kundër tij, Djokovic është detyruar që të largohet nga Beogradi së bashku me familjen e tij dhe të shpërngulet në Greqi, ku ka blerë një apartament që ishte në pronësi të pronarit të Panathinakosit. Një largim që i jep një tjetër goditje të madhe Aleksandër Vucic për mënyrën sesi po sillet në Serbi. Dhe për të dalë në analizën e mëparshme, në të vetmin moment kur Djokovic ka prishur marrëdhëniet me Aleksandër Vucic, që më herët ishin të shkëlqyera, Djokovic e ka dhënë një mesazh të mirë për shqiptarët. Ai ka publikuar pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë një mesazh ku tregonte fuqinë e sportit dhe vendoste flamujt e Shqipërisë dhe Serbisë së bashku mes duartrokitjeve dhe dhënies së dorës.
Ndërkohë në fotografi ishte Gjimshiti duke ndihmuar Vlahovic pas dëmtimit, ishte Silvinjo që kërkonte të shmangte kontaktin më të vogël me lojtarin serb dhe Mirlind Daku, shqiptari i Kosovës që i jepte duart kundërshtarit të tij. Sigurisht, dyshimet duhet të jenë deri në fund për mënyrën sesi qasen serbët pasi sinqeriteti gjendet rrallë tek ta, por e sigurt është se nëse do të kishte ende marrëdhënie të mira me Vucic, Djokovic nuk do të shpërndante kurrsesi një mesazh të tillë. Ashtu si edhe trajneri i Serbisë, Stojkovic, që tha fjalët më të mira për tifozët e Shqipërisë pas ndeshjes në Tiranë, por u kthye në Serbi, për shkak të rregjimit të egër të Vucic, u detyrua që të ndërronte fjalët e tij për t’i kritikuar tifozët e Shqipërisë dhe për të vlerësuar vetëm sjelljen e lojtarëve tanë. /Sport Ekspres/