“Duhej të kërcente më shumë nga toka, i merr lehtë disa situata”! Dervishi për Armando Brojën: Të largohet sa më parë nga Premier League

Armando Broja ka pësuar një tjetër dëmtim, në ndeshjen e dytë radhazi me Evertonin. Këtë herë situata duket më e rëndë dhe sulmuesi shqiptar pritet të mungojë për disa kohë jashtë fushës së blertë. Ndërkohë në emisionin Koha Shtesë, ka folur edhe Dritan Dervishi sa i përket këtij rasti, bashkëpunëtori teknik i ekipit të Veronës që ndodhet në Serinë A. (Intervistën e plot e gjeni më poshtë)

“Dëmtimi duket shumë serioz dhe për mua do të mungojë gjatë, megjithëse presim ekzaminimin për ta parë qartësisht se çfarë ka. Shikoni, dëmtimet e shpeshta ne ia vendosim fajin fatit, por nuk është vetëm faji i fatit të keq të Brojës. Nuk ia vendos dot fajin as vetë Armandos, është 23-vjeç. Ka specialistë që paguhen për ta ndjekur atë. Ai që e ndjek Armando Brojën, nuk e ndjek me profesionalizëm, kaq. Nuk themi dot dëmtim pas dëmtimi, është pa fat, as vetë Broja nuk do të dëmtohet. Ose e kanë futur në lojë përpara kohe, kur trupi i Armandos nuk është gati, por me patjetër që dikush ka dështuar me të, 100%. Po flasim për nivele të larta dhe aty flitet gjithmonë për profesionalizëm, është Angli, në nivelet profesioniste nuk lihet faji te fati i keq, nuk ekziston. Kjo tregon se ose klubi që merret me Brojën nuk ka mjekët, fizoterapistët e aftë ose nuk i japin rëndësi shumë Brojës, nuk e kanë kuptuar se çfarë lojtari kanë. Fiziku nuk është njësoj, trupi im mund të mbajë më shumë goditje, i joti jo. Në nivelet profesioniste këto dëmtime kaq të shpeshta nuk shkojnë, nuk ndodhin.

Por edhe Broja mund të bëjë diçka më shumë vet. Po të shikoni me kujdes rastin e dëmtimit, sikur Broja të kërcente më shumë, se nuk po flasim për mua dhe ty që kërcejmë 4 cm nga toka, flasim për profesionista dhe Broja është atlet i vërtetë, ka gjithçka. I merr lehtë disa situata dhe kjo ndikon, ka pjesën e vetë në momentin e dëmtimit. Duhej të kërcente më shumë nga toka për të shmangur kundërshtarin. Armando duhet të kuptojë që fiziku i tij nuk është për Premier League, duhet të largohet sa më parë nga aty dhe të shkojë në Serinë A”, tha Dervishi. /Sport Ekspres/