Laci dhe Vllaznia janë ndalur në një barazim 1-1, në ndeshjen më të rëndësishme të ditës së sotme. Shkodranët nuk kanë mundur dot që fitojnë kundër kurbinasve. Për më tepër që e gjetën veten në disavantazh me golin e Ujkës në minutën e 40. Megjithatë Alivoda arriti që të shënonte golin e barazimit në të 49, duke i dhënë një pikë në këtë transfertë.
Nga ana tjetër, Dinamo ka arritur që të fitojë pastër ndaj Erzenit, 0-4. Një ndeshje ku dinamovitët nuk i lanë asnjë shpresë të vetme kundërshtarit. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 0-2 falë golave të Hoxhës dhe Kacorrit. Ndërkohë në fundin e takimit, përkatësisht në minutën e 84 dhe 88, ishin Zabërgja dhe Bardhi që rritën statistikat e fitores. Me këtë fitore, Dinamo i afrohet akoma më shumë Final Four, ndërsa Erzeni vështirëson punën e mbijetesës. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve në “MCN TV”:
Osmani: “Nuk e di nëse duhet të jemi të lumtur për pikën apo të zhgënjyer për dy pikë të humbura. Mendoj se ishim më afër fitores, gabuam në disa raste që nuk i shfrytëzuam. Kjo ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi bërë me mua si trajner sa i përket qarkullimit të topit. Duhej të finalizojmë rastet që krijojmë”.
Deliallisi: “Marrë përgjegjësinë për këtë humbje, nuk i fshihem asgjëje. Këto ishin zgjedhjet e mia në fushë për sot, mund të kisha vepruar ndryshe, jam unë ai që bëj formacionin. Ishte ndeshja jonë më e dobët sot, uroj kundërshtarin. Sot nuk kishim dëshirën dhe agresivitetin që kam kërkuar gjatë javës. Është e patolerueshme. Unë kam një gjë, kështu do të jetë deri në fund si trajner. Kur humbas, përgjegjësinë e mbaj unë. Kur fitojë, merita i shkon lojtarëve”.